Zëvendëskryeministri Limaj i ofron përkrahje Agim Bahtirit
Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, deputeti Enver Hoti dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë qëndruar të enjten në Mitrovicë, me ç’rast janë pritur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri.
Kryetari Bahtiri e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Limaj me punën që është duke u bërë në Mitrovicë, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet.
Ai i tha Limajt se në vitin 2013 kur është zgjedhur kryetar i Mitrovicës, gjendja në këtë komunë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë, në të gjitha fushat.
Bahtiri para ministrit të Arsimit ka paraqitur kërkesën për ndërtimin e shkollës në Gushafc, e cila është në gjendje pothuajse të papërdorshme, duke vlerësuar se ndërtimi i kësaj shkolle është edhe interes strategjik.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se ardhja e Bahtirit në krye të Mitrovicës ka bërë që ky qytet të ndryshohet për të mirë. “Keni bërë punë të mëdha dhe unë ju përgëzoj. Gjithmonë do ta keni mbështetjen time për idetë, vizionin dhe projektet tuaja. Vështirë e ke pas, por ia ke dalë me sukses”, ka thënë Limaj.
Limaj dhe Bytyqi i thanë kryetarit Bahtiri se sa i përket ndërtimit të shkollës në Gushafc, do të angazhohen për të siguruar mjete, aq më tepër kur vërtetë ndërtimi i kësaj shkolle në këtë fshat është një investim strategjik.
/Epoka e re/