Zëvendëskryeministri Pacolli paralajmëron dy njohje për Kosovën
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, është shprehur i sigurt se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti.
Ai i ka siguruar deputetët se shumë shpejt do të arrijnë njohje të reja për Kosovën.
Pacolli ka bërë me dije se këto ditë pritet njohja nga dy shtete, dhe se nga njëri shtet është marrë konfirmimi, të cilët tashmë kanë nisur procedurat për njohjen e Kosovës.
Gjatë raportimit ministri Pacolli ka treguar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ndërsa lidhur me ecurinë e anëtarësimit në Interpol ai ka thënë se do të raportojë në një mbledhje të mbyllur të komisionit.
Raportimi i ministrit Pacolli kishte të bënte me angazhimet diplomatike të Ministrisë për Punë të Jashtme gjatë katër mujorit të këtij viti, përfshirë këtu edhe Samitin e Berlinit.
Ministri Pacolli në mënyrë kronologjike ka njoftuar për marrëdhëniet dypalëshe të vendit tonë, procesin e njohjeve, diplomacinë ekonomike, marrëdhëniet rajonale, raportet me BE-në, organizatat ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në luftën globale kundër terrorizmit.
Ai u është përgjigjur edhe pyetjeve dhe shqetësimeve që kanë ngritur anëtarët e komisionit.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit interesim të veçantë kanë shfaqur lidhur me Samitin e Berlinit, përkatësisht qëndrimit të delegacionit të Kosovës i cili sipas tyre nuk ka qenë unik.
Duke folur për këtë çështje, ministri Pacolli ka bërë me dije se delegacioni kosovar në këtë Samit ka paraqitur qëndrim unik dhe të koordinuar mirë.
Me këtë rast ai ka thënë se kërkesa për suspendimin e përkohshëm të taksës për mallrat serbe dhe të atyre nga Bosnjë Hercegovina është përsëritur disa herë nga kancelarja Merkel si dhe presidenti Makron.
Ai ka thënë se vendosja e taksës është arsyetuar nga presidenti dhe kryeministri i vendit.
Anëtarët e komisionit kanë kërkuar që të njoftohen me shkrim lidhur me konsujt e nderit të angazhuar nga vendi ynë si dhe reformat e brendshme në ministri.
/Epoka e re/