Zëvendëskryeministrin italian e lë e dashura
E dashura e zëvendëskryeministrit italian, Matteo Salvini, ka njoftuar të hënën ndarjen e çiftit në një postim disi intim në rrjetin social “Instagram”. Prezantuesja televizive Elisa Isoardi, 35 vjeç, publikoi një foto intime të sajën, me Salvinin e zhveshur në pjesën e sipërme të trupit, me një nënshkrim po aq romantik.
“Nuk do të më mungojë ajo që i kemi dhënë njëri-tjetrit, por ajo që mund t’i kishim dhënë ende secilit. Me respektin e pafund për dashurinë e sinqertë, siç ishte, faleminderit Matteo!”, ka shkruar Isoardi.
Kurse, Salvini iu ka përgjigjur përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”.
“Për shkak të edukimit, karakterit dhe respektit, kurrë nuk e kam lënë pas dore jetën private dhe nuk do të nis ta bëj tani, – shkruante 45-vjeçari. “Kam dashur dhe kam falur, e sigurisht kam bërë edhe gabime, por besoja në dashuri deri në fund”, është shprehur ai.
Kjo “dramë online” vjen në një kohë aspak të qetë për Salvinin, i cili udhëheq partinë e ekstremit të djathtë “Lega Nord” në Itali, e mbi të gjitha teksa italianët janë përfshirë në një mosmarrëveshje të vazhdueshme me Bashkimin Evropian për shkak të buxhetit kombëtar të vendit të Apenineve./tch/