Zëvendëskryeministrja që organizoi mbledhjen e dy qeverive, numëron ‘të mirat’ e nënshkrimit të marrëveshjeve

02 tetor 2020 | 17:04

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, e cila ka qenë e ngarkuar me organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive është ndarë e kënaqur që sot është finalizuar një angazhim disamujor në funksion të përgatitjes dhe organizimit të kësaj mbledhje.

Ajo ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, se që nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie përkushtimi i sa për arritjen e këtyre marrëveshjeve dhe thellimit të bashkëpunimit ka qenë prioritet i saj.

“Jam e lumtur për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur se mundësia që të nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve dhe protokolleve do të çojë deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo vetëm kaq”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë i Balaj-Halimajt:

Jam jashtëzakonisht e kënaqur që sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të mbajtur në Tiranë finalizuam një angazhim disa mujor në funksion të përgatitjes dhe organizimit të kësaj mbledhje.

Që nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie përkushtimi im për arritjen e këtyre marrëveshjeve dhe thellimit të bashkëpunimit ka qenë prioritet i imi gjatë gjithë kohës, gjatë këtyre muajve kemi bërë punë të palodhshme për arritjen e marrëveshjeve dhe me stafin tim dhe të gjitha ministritë dhe agjencitë jemi përpjekur që të ndërmarrim hapa konkret për zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar në të kaluarën.

Jam e lumtur për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe jam e bindur se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve dhe protokolleve do të çojë deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo vetëm kaq.

Me punë dhe zhvillim ne nderojmë sakrificën për liri të gjithë brezave, dhe vetëm me punë e zhvillim do ta rrisim perspektivën tonë të përbashkët.

Sot ne hodhëm një hap përpara në konsolidimin e vendeve tona duke i dhënë shtytje të drejtpërdrejtë zhvillimit ekonomik.

Dua gjithashtu të nënvizoj faktin e takimit të sotëm, që ky bashkëpunim, synon të adresojë mangësitë të cilat janë vënë re në bashkëpunimin mes dy Qeverive.

Është hera e parë që të dy shtetet në mënyrë institucionale do të kujdesen për Luginën e Preshevës përmes themelimit të Fondit të Përbashkët si pjesë e marrëveshjeve që do të nënshkruhen.

Gjithashtu, nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit Ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës mbi Bashkëpunimin në Fushën e Transportit Hekurudhor nënkupton krijimin e një kuadri bashkëpunues për organizimin e transportit hekurudhor duke kryer aktivitetet e organizimit të transportit kufitar hekurudhor dhe vendosjen e rregullave për organizimin e transportit kufitar hekurudhor të njërës Palë në trenat të cilët lëvizin në territorin e shtetit tjetër.

Nënshkrimi i Marrëveshjes Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste Fatkeqësish Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera nënkupton siguri më të madhe për dy vendet në fushën e menaxhimit të fatkeqësive natyrore si vlerë e shtuar e këtij takimi, e cila pasohet nga Marrëveshja për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë ku rikonfirmohet se bashkëpunimi në fushën e Sigurisë është shumë me rëndësi për dy vendet.

Tutje, Marrëveshja për Mobilitetin në Punë nënkupton përforcimin e marrëdhënieve mes agjencive zbatuese të politikave të punësimit dhe aftësimit profesional me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mundësimin e punësimit të punëtorëve nga secili shtet në territorin e shtetit tjetër.

Krijimin e Koridorit Digjital 5G dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen nënkupton bashkëpunimin në hartimin e politikave dhe programeve të zhvillimit të rrjeteve 5G, në përcaktimin e standardeve për rrjete të sigurta dhe lëvizshmërinë bazuar në praktikat e mira të BE-së dhe angazhimet ndërkombëtare për rrjetet e pastra.

Të githa marrëveshjet e sotme ndërlidhen drejtpërdrejtë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy vendeve si: Themelimin e Ligës së Përbashkët të Basketbollit Ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës, krijimi i Platformës së Përbashkët Digjitale të Arsimit Parauniversitar, Kalendarit të Përbashkët Kulturor Vjetor, Bashkëprodhimi i Filmit, përballja e përbashkët me Covid 19, etj.

Do të punojmë edhe më tepër në çështjet e sigurisë, mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik për të thelluar edhe më shumë këtë bashkëpunim.

Falënderoj edhe një herë të gjithë ata me të cilët kemi bashkëpunuar në këta muaj për ta organizuar dhe arritur këto marrëveshje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka bërë raportimin për situatën…