Zëvendëskryeministrja: Specialja t’i sjell para drejtësisë edhe ata që kryen gjenocid në Krushë të Madhe
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka vizituar të mërkurën Krushën e Madhe, ku gjatë luftës së fundit Serbia kishte vrarë 243 persona të pafajshëm.
Me këtë rast, ajo ka kërkuar nga Gjykata Speciale që t’i sjell para drejtësisë edhe ata që kryen krimin e gjenocidit në Krushë të Madhe.
“Shteti i Kosovës nuk guxon të hesht përballë këtyre krimeve monstruoze gjenocidare. Shteti i Kosovës nuk duhet të ndalet deri sa përgjegjësit që kryen gjenocid në Kosovë të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Balaj-Halimajt:
Sot vizitova Krushën e Madhe, vendlindjen e veprimtarit të madh kombëtar, Ukshin Hoti, fatin e të cilit Serbia ende refuzon që ta ndriçojë.
Krusha e Madhe është një nga vendet e shumta ku shteti i Serbisë kreu krimin e gjenocidit kundër civilëve të pafajshëm, duke vrarë 243 persona, në mesin e tyre, fëmije, gra, burra dhe pleq!
Me familjarët e të vrarëve dhe të zhdukurve biseduam për domosdoshmërinë që të kërkohet me ngulm nga Gjykata Speciale që t’i sjell para drejtësisë edhe ata që kryen krimin e gjenocidit në Krushë të Madhe.
Kjo kërkesë është në përputhje me premtimin e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova “se do të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe atyre të ish-Jugosllavisë”. Të njëjtën deklaratë këto ditë e ripohoi publikisht edhe zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, zoti Michael Doyle.
Gjithashtu, sot vizitova edhe Krushën e Vogël ku janë të masakruar, vrarë e zhdukur mbi 113 persona mesin e tyre gra, fëmijë e pleq. Sikurse në Krushë të Madhe edhe këtu 21 vjet pas përfundimit të luftës Serbia refuzon të ndriçojë fatin e mbi 60 personave të zhdukur të këtij fshati.
Në anën tjetër, shteti i Kosovës duhet të kërkojë nga Gjykata Speciale që t’i përmbahet këtij detyrimi dhe të fillojë menjëherë të nxjerr para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime mbi popullsinë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë!
Shteti i Kosovës nuk guxon të hesht përballë këtyre krimeve monstruoze gjenocidare. Shteti i Kosovës nuk duhet të ndalet deri sa përgjegjësit që kryen gjenocid në Kosovë të dalin para drejtësisë!
Përpjekjet për të rishkruar historinë nuk do të kalojnë. Plaga e gjenocidit që ende kullon gjak nuk lejon që të ndodhë diçka e tillë. Ju jeni dëshmitarë të krimeve monsturuoze që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë.
Kosova kërkon drejtësi!