Zëvendëskryetarit të Beogradit i ndalohet hyrja në Kosovë, zemërohen në Serbi

23 nëntor 2020 | 13:21

Një delegacion nga Beogradi që udhëhiqej nga nënkryetari i kësaj komune, Goran Vesiq është ndaluar sot rreth orës 09:30 në Jarinje nga Policia e Kosovës.

Vesiq nuk është lejuar të hyjë në Kosovë, derisa mediet serbe kanë shkruar se Policia e Kosovës, saktësisht dy xhipa të policëve të armatosur nuk e kanë lejuar Vesiqin dhe delegacionin të hyjnë në vendin tonë.

Sipas medieve serbe, Vesiq është lajmëruar në kufi se hyrja e tij është ndaluar me një vendim nga Qeveria e Kosovës, me arsyetimin se ardhja e tij në Kosovë përfaqëson një rrezik për sigurinë e vendit.

Goran Vesiq ka thënë për programin e parë të “Radio Beogradit” se ai e sheh ndalimin e hyrjes së tij si një vendim kundër Beogradit, dhe jo kundër tij personalisht.

Vesiq më parë ka deklaruar se ata janë takuar në vendkalimin administrativ nga dy xhipa të mbushur me anëtarë të armatosur të Policisë së Kosovës dhe se delegacioni i Beogradit po vinte në vend për të nënshkruar një statut për binjakëzim me komunën e Mitrovicës së Veriut.

Siç ka thënë Vesiq, me vendimin e sotëm, autoritetet e Prishtinës kanë treguar se nuk duan që fëmijët në Kosovë të kenë një shesh lodrash dhe se refugjatët nuk kanë të drejtë për apartamente.

Pas ndalimit të tij ka reaguar edhe e ashtuquajtura, Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Në deklaratën e kësaj zyre thuhet se parandalimi i Vesiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij demonstrimi më i hapur i vullnetit të Prishtinës për të kontribuar në krijimin e marrëdhënieve normale ndëretnike dhe klimës sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Zuerich barazoi me rezultat 2-2 në udhëtim tek skuadra…