Zëvendësministri Cakolli: Kemi për synim stimulimin e aktiviteteve inovative
Zëvendësministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, ka marrë pjesë në konferencën përfundimtare të projektit “Zhvillimi i ndërmarrjeve sociale nga perspektiva gjinore” në kuadër të programit Angazhimi për Barazi – E4E të financiar nga USAID dhe mbështetur nga ATRC.
“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka për synim stimulimin e aktiviteteve inovative në Republikën e Kosovës, të lidhura ngushtë me ndërmarrësinë dhe fushat tjera të ekonomisë, duke fuqizuar sektorin privat”, ka deklaruar zëvendësministri Cakolli.
Në këtë Konferencë u diskutuan të arriturat dhe zhvillimet e ndërmarrjeve sociale, veçanërisht atyre të grave në Komunat e Gjakovës, Junikut dhe Rahovecit.
Qëllim kryesor i implementimit të projektit “Zhvillimi i ndërmarrjeve sociale nga perspektiva gjinore”, ka qenë ngritja e vetëdijes së komunitetit të komunave të Gjakovës, Junikut dhe Rahovecit, veçanërisht të grave dhe bizneseve familjare, në mënyrë që të zhvillohen iniciativa dhe aktivitete që i shërbejnë interesit të përgjithshëm social në formën e sigurimit të të mirave dhe shërbimeve sociale që ngritin kualitetin e jetës, fuqizojnë bashkëpunimin shoqëror dhe promovojnë integrimin e grupeve të cenueshme.
Pjesëmarrës në Konferencë ishin edhe përfaqësues të USAID-it, të institucioneve lokale të Gjakovës dhe përkrahës të tjerë të projektit.