Zëvendësministri Dukolli vizitoi kompanitë e sektorit privat në Ferizaj
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMPS), ka vizituar të premten disa kompani të sektorit privat në Ferizaj.
Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, ai sot u njoh nga afër me sigurinë dhe kushtet e punës që këto kompani ofrojnë për punëtorët.
Dukolli i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit ka vizituar kompaninë ndërtimore ‘Vahidi’ e cila ka të punësuar 17 punëtorë, si dhe fabrikën e prodhimeve të drurit ‘Kosova Model’, me pronar Milaim Sopaj, e cila ka rreth 37 punëtorë. “Gjatë vizitës në vend punishtet e këtyre kompanive, KNSSHP u interesua për kushtet e sigurisë, pajisjet e punës dhe zbatimin e masave parandaluese për të evituar lëndimet në punë. Me këtë rast zëvendësministri Dukolli, apeloi tek punëdhënësit që të rrisin masat e sigurisë, jo vetëm për hir të ligjeve e rregulloreve, por më shumë për faktin se jetët e njerëzve janë më të shtrenjta dhe më të çmueshme se çdo përfitim tjetër material. Po ashtu, ai mori premtime nga pronarët e kompanive se do të zbatojnë me përpikëri ligjet, këshillat dhe udhëzimet që shkojnë në dobi të mbrojtjes së shëndetit dhe jetëve të punëtorëve”, është thënë në njoftimin e MPMS.
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, do të vazhdojë edhe më tutje të vizitojë dhe monitorojë kompani dhe industri tjera, për të parë nga afër zbatimin e legjislacionit për siguri dhe shëndet në punë, jo vetëm për të afirmuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve, por edhe për të shkëmbyer ide dhe përvoja me kompani të ndryshme në funksion të maksimalizimit të sigurisë në punë.