Zëvendësministri e tejkaloi shumën e reprezentacionit, obligohet t’i kthejë nga paga
Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Bashkim Krasniqi, ka marrë pagën e tij me zbritje për shkak të tejkalimit të limiteve të shpenzimeve të tij si zëvendësministër.
Në bazë të një udhëzimi administrativ, për çdo kategori specifikohet shuma maksimale e shpenzimeve që mund ta përdorë.
Në rast se i njëjti zyrtar tejkalon këtë shumë, neni 9 i këtij udhëzimi thotë se zyrtari duhet ta kthejë shumën e tejkaluar.
“Të gjitha shpenzimet e reprezentacionit që kalojnë shumën e përcaktuar me këtë udhëzim administrativ do të mbulohen nga zyrtarit, i cili e ka tejkaluar shumën e përcaktuar”, thuhet në nenin 9 të këtij Udhëzimi.
Zëvendësministri Bashkim Krasniqi brenda 3 muajve kishte tejkaluar këto shpenzime për 227 euro e 70 centë.
Këto tejkalime të shpenzimeve nuk janë pranuar nga ministri andaj përmes sekretarisë iu është kërkuar që t’i kthejë këto të holla.
“Gazeta Jeta në Kosovë” ka siguruar komunikimin që është bërë në mes të sekretarisë dhe zëvendësministrit Krasniqi.
Këtij të fundit i është kërkuar që ose të shkojë t’i paguajë personalisht këto tejkalime të shpenzimeve ose të njëjtat do t’i ndalen në pagë.
Zëvendësministrit Krasniqi i kishte ardhur keq për këto tejkalime dhe kishte kërkuar që këto mjete financiare të ndalen nga paga e tij.
Në një bisedë për “kallxo.com”, zëvendësministri Krasniqi thotë se ka qenë në dijeni që s’guxon ta tejkalojë këtë shumë, mirëpo për shkak se kanë pasur shumë takime, i ka shpenzuar.
“I kam tejkaluar sepse kemi pasë mysafirë, kemi pasë organizime të ndryshme dhe është tejkaluar, dmth kemi pasë aktivitete më të shumta dhe është dashtë me organizu ndonjë drekë, ndonjë pije për mysafirë. Unë kam qenë në dijeni për vlerën e 200 eurove, por unë i kam pagu pastaj prej vetës, prej pagës sime”, tha Krasniqi.
E në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, përfitues të shpenzimeve të reprezentacionit janë kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, shefat e kabineteve të Kryeministrit e ministrave, këshilltarët politikë, sekretari i përgjithshëm i ZKM-së dhe sekretarët e përhershëm të ministrive.
Kryeministri dhe zëvendësit e tij kanë të drejtë të shpenzojnë deri në pakufi për reprezentacion apo pagesa për takime zyrtare, ndërsa ministrat deri në 500 euro.
Sipas këtij udhëzimi, zëvendës ministrat kanë të drejtë deri në 200 euro. Ndërsa shefi i kabinetit të Kryeministrit dhe këshilltarët kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë deri në 100 euro në muaj.
Sekretarët e ministrive dhe ai i Qeverisë nga 100 euro, ndërsa shefat e kabinetit të ministrive deri në 50 euro.