Zëvendësministri i Arsimit jep detaje: Çmimet e librave do të jenë të shtypura në kopertina, prindërit aplikojnë në e-Kosova

22 gusht 2023 | 21:05

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka ndarë detaje shtesë se si po planifikon Ministria e Arsimit që t’i furnizojë nxënësit me libra shkollorë përmes prindërve.

Në mënyrë që të mos ketë rritje çmimesh, Kelmendi ka thënë se ato do të shtypen në kopertinë të librit. Ai ka ritheksuar edhe njëherë se Qeveria po tenton t’i ndihmojë buxhetit të shtetit, pasi tha se çmimet e ofertuara nga shtëpitë botuese kanë qenë të papërballueshme.

“Po i denoncojmë çmimet e larta dhe të papranueshme. Po i transferojmë mjetet për blerjen e librave tek prindërit. Po sigurohemi që përzgjedhja e librave nga aktivat profesionale/mësimdhënësit të jetë e duhura. Çmimet do të shtypen në kopertinën e librit dhe nuk mund të rriten. Po sigurohemi që mjetet e transferuara të jenë të mjaftueshme për blerjen e teksteve për secilën klasë”, ka shkruar në Facebook, zëvendësministri.

Tutje tha se procesi i rimbursimit të të hollave do të bëhet përmes platformës elektronike e-Kosova, një proces që, sipas tij, nuk do të zgjasë as dhjetë minuta.

“Pra, algoritmi i sistemit është gati. Mjetet nuk mund të ndalen as nga përmbaruesit dhe as nga bankat sepse kjo tashmë është rregulluar me ligj. Pas lansimit të platformës do të publikohet manuali i aplikimit”, tha ai.

Kelmendi tha se kjo reformë është pjesë e projektligjit për tekstet shkollore, i cili pritet që së shpejti të kalojë në Kuvend.

“Aty parashihen mundësitë e krijimit të teksteve digjitale, autorët mund të aplikojnë drejtpërdrejt në MAShT me dorëshkrimet e tyre, recensentë kompetent e të certifikuar për tekste cilësore, indeksi i çmimit dhe shpërndarjes që përcaktohet nga ministria”, tha ai.

Ishte Ministrja Arbërie Nagavci, e cila, në një konferencë për media, të hënën, tha se po e shtjellojnë një mundësi që prindërit t’ua blejnë vetë librat fëmijëve të tyre, e pastaj të rimbursohen për shpenzimet.

Mirëpo kjo nuk u prit mirë në diskursin publik. Përfaqësues nga opozita, shoqëria civile, e prindërit thanë se kjo ide nuk është e përshtatshme, dhe përkundrazi, do t’i kushtojë më shumë buxhetit të shtetit. /Reporteri.net/.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Christopher Hill, ambasadori i SHBA-ve në Beograd, ka thënë se…