Zëvendësministri i MAPL-së: Ndërkombëtarët po i inkurajojnë grupet kriminale në veri
Zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarët po inkurajojnë grupet kriminale në veri.
Vokrri tha se duket që është “e pabesueshme, por fatkeqësisht ashtu është”.
“Ndërkombëtarët e kanë një prirje të çuditshme për me dekuraju qytetarët serbë prej integrimit dhe me inkuraju segmentet ekstremiste në atë mikro-shoqërinë serbe në veri. Po, partnerët ndërkombëtarët po inkurajojnë grupet kriminale. Duket e pabesueshme, por fatkeqësisht ashtu është… Për shkak se ata kur refuzojnë t’i pranojnë si përfaqësues legjitim të qytetarëve serbë ata të cilët e kanë edhe mbështetjen popullore atje edhe janë pjesë e institucioneve të Kosovës, janë goxha të bojkotuar nga ndërkombëtarët dhe të njëjtit ndërkombëtarë mbajnë kontakte të rregullta e jo veç kontakte, por edhe bashkëpunim edhe në atë kuptimin e sponsorizimit qoftë edhe financiar të segmenteve të shoqërisë serbe në veri që janë ithtarë të ideve ekstreme që janë pengesë për integrim e që thërrasin haptas edhe për dhunë”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.