Zëvendësministri i MPB-së: Po punojmë që të zvogëlojmë numrin e armëve në posedim të paligjshëm
Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur takimin e 9-të lokal koordinues për udhërrëfyesin, për një zgjidhje të qëndrueshme për zotërimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe municioneve (AVL).
Takimin e hapi, koordinatori Kombëtar për AVL-të, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, i cili fillimisht falënderoi për pjesëmarrje të pranishmit në takimin e 9-të me radhë lokal koordinues, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në hapje të takimit zëvendësministri Gashani vuri në dukje se gjatë periudhës raportuese korrik – dhjetor 2022, kapacitetet në fushën e kontrollit kufitar, mbikëqyrjes së vijës së gjelbër kufitare, analizës se përbashkët të riskut, përmirësimi i hetimeve të trafikimit të armëve dhe kriminalitetit me armë dhe aspekti teknologjik janë rritur me asistencën e organizatave ndërkombëtare dhe përkrahjen e fuqishme financiare të donatorëve në kuadër të implementimit të projekteve të paraqitura në kuadër të zbatimit të Udhërrëfyesit rajonal për AVL.
“Unë jam i sigurt që mbështetja dhe përkrahja e juaj me mjete financiare, profesionistë dhe ekspertë do të vazhdojë edhe për Udhërrëfyesin për Armë të Vogla dhe të Lehta, ku do të zbatohet dhe do të jetë i suksesshëm në mënyrë që të kontribuojmë dhe të zvogëlojmë numrin e armëve në posedim të paligjshëm, si dhe keqpërdorimin e tyre”, ka thënë zëvendësministri Gashani.
Ai ka theksuar se krahas të arriturave në fushën e zbatimit të udhërrëfyesit rajonal, gjithmonë ekziston rreziku nga metodat e vjetra të trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve që janë evidente, por që tashmë po shohin një avancim të modus operandit nga trafikantët e AVL-ve, si dhe në aspektin e prodhimit të armëve, konvertimit.
“Njëherit këto avancime paraqesin rrezik jashtëzakonisht serioz për sigurinë individuale dhe nacionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor e rrjedhimisht edhe të Bashkimit Evropian. Ne, jemi të vetëdijshëm që vendi ynë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të cenueshme sa i përket këtyre trendeve të reja të trafikimit të AVL-ve dhe konvertimit, por që mbështetja e parezervë e partnerëve tanë ndërkombëtarë në zbatimin me sukses të udhërrëfyesit direkt është duke kontribuuar në ngritjen e sigurisë dhe detektimin dhe konfiskimin e armëve ilegale”, ka thënë Gashani.
Në fund ai theksoi se komisioni i Kosovës për AVL në bashkëpunim të ngushtë me partnerët nga UNDP në Kosovë, ka vlerësuar, analizuar dhe në mënyrë precize ka identifikuar disa nga prioritetet tona në fushën e kontrollit të AVL-ve dhe zbatimit me sukses të udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehtë.
Gjatë këtij takimi u prezantuan të dhënat se i përket zbatimit të aktiviteteve për AVL-të për periudhën raportuese, ndërsa partnerët e MPB-së që e mbështesin në të gjitha aktivitet, u zotuan se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të përkrahin Ministrinë e Punëve të Brendshme në të gjitha iniciativat për zvogëlimin e rreziqeve nga AVL-të.