Zëvendësministri i MTI-së, Fadil Arifi takoi sot përfaqësuesit e CDF-së, fitues të grantit për zhvillim dhe promovim të turizmit në Kosovë
Zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, takoi sot përfaqësuesit e CDF-së (Community Development Fund) Fondi për Zhvillim Komunitar, Nerminë Mahmuti – drejtoreshë ekzekutive dhe Gramen Taraku – menaxher i Projektit Via Dinarica për Kosovë. CDF është njëri nga përfituesit e granteve të BE-se në fushën e zhvillimit dhe promovimit të turizmit, përkatësisht nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional Co-operation Council).
MTI është duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtë me RCC në zhvillimin e sektorit të turizmit. Në takim mori pjesë edhe këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Mervan Rexhepi, udhëheqësja e Divizionit të Turizmit si dhe zyrtarë tjerë nga Departamenti i Turizmit dhe Departamenti për Integrim Evropian brenda MTI-së.
Fillimisht, zëvendësministri i Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi CDF-në për grantin e fituar duke ofruar bashkëpunim të plotë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit në Kosovë.
Pastaj Lumturije Geci i informoi përfaqësuesit e CDF-së për arritjet dhe planet e Departamentit të Turizmit dhe i njoftoi ata për fushat e bashkëpunimit duke u siguruar që do të kemi bashkëpunim të ngushtë dhe përkrahje të vazhdueshme.
Nermin Mahmuti, drejtoreshë ekzekutive e CDF-së bëri një prezantim për projektet dhe aktivitetet e CDF-se në të kaluarën dhe planet për të ardhmen.
Kurse Gramen Taraku, menaxher i projektit “Via Dinarica” për Kosovë prezantoi planin dhe aktivitetet e projektit për zhvillimin dhe promovimin e turizmit në Kosovë i cili përfshin tri ekonomitë e Ballkanit Perëndimor si një projekt ndërkufitar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Malit te Zi, respektivisht zgjerimi shtigjeve i Via Dinarica në një sipërfaqe prej 50 km. Ky projekt ngërthen katër komunat si: Peja, Deçani, Gjakova dhe Juniku. Projekti ka filluar në nëntor 2018 dhe do të përfundojë në qershor të 2019-tës.
Në takim u diskutua edhe për aktivitetet e Grupit te Eksperteve të Turizmit nga Kosova si anëtarë të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Takimi u mbyll me zotimet për bashkëpunim të vazhdueshëm për zhvillimin dhe promovimin e turizmit te Kosovës.
Informata me të hollësishme për projektin mund të gjeni këtu.