Zëvendësministri Kadriu inspektoi shembjet e rrugëve në Koshare, Kërrninë dhe Balincë
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka inspektuar të enjten shembjet e rrugëve në segmentet Botushë-Koshare, Rakosh-Osojan në Kërrninë dhe aksin rrugor Prishtinë-Pejë në Balincë, të cilat kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të fundit atmosferike në vend.
Fillimisht zëvendësministri Kadriu, i shoqëruar edhe nga dy menaxherët rajonal të Gjakovës, ka ndaluar në aksin rrugor Botushë-Koshare, ku ditë më parë ka pasur degradim të rrugës.
Kadriu ka thënë se do të ngritët një komision i cili do të inspektojë dhe vlerësojë dëmet e shkaktuara si dhe do të rekomandojë masat që duhen ndërmarrë në sanim të këtij segmenti rrugor.
Po ashtu, Kadriu ka thënë se ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente dhe se tashmë duhet të ndërtohen rrugë cilësore dhe të standardeve të larta.
Më pas Kadriu ka vizituar edhe segmentin rrugor nga Rakoshi në drejtim të Osojanit, saktësisht në Kërrninë, ku edhe aty ka pasur degradim të rrugës dhe rrëshqitje dheu.