Zëvendësministri Krasniqi: Investimet në sektorin e bujqësisë po rriten në vazhdimësi
Investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes granteve investive dhe subvencioneve do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë. Përmes këtyre investimeve, ministria synon që të krijoj kushte më të favorshme për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore në vend, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e konkurrencës së prodhimeve vendore me ato të huaja.
Kështu është shprehur zëvendësministri i MBPZHR-së, Vesel Krasniqi, në konferencën “Problemet madhore që shoqëruan bujqësinë kosovare ne vitin 2017”, e organizuar nga Initiative for Kosova Community, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve mbështetëse të këtij sektori, si dhe përfaqësues të shoqatave të fermerëve.
Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi, ka theksuar se gjatë këtyre viteve sektori i bujqësisë ka shënuar rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm, por që pavarësisht investimeve që po bëhen ka ende sfida në këtë sektor, të cilat ai tha se synojnë që t’i adresojnë përmes programit të vitit të ardhshëm.
“Përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2018 dhe Programin për Pagesa Direkte 2018, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural synon rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit të bujqësisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit”, ka thënë ai.
Zëvendësministri ka theksuar se buxheti i ministrisë për vitin 2018 arrin vlerën në 60 milionë euro.