Zëvendësministri Makolli mori pjesë në konferencën “Aftësia e Kufizuar Intelektuale në Kosovë”
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, mori pjesë në punimet e konferencës “Aftësia e Kufizuar Intelektuale në Kosovë”, e cila u organizua nga Shoqata Down Syndrome Kosova në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me sindromën Down.
Në emër të ministrit të MPMS-së, Skender Reçica, Makolli tha se shteti ynë është duke avancuar politikat e mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, e në veçanti për personat me aftësi të kufizuar. “Pjesë e kësaj pune qeveritare ka qenë edhe rregullim juridik ligjor i çështjes së mirëqenies së asaj pjese të qytetarëve, të cilët kanë vështirësi në punësim. Me ligjet e aprovuara përcaktohet kuota e punësimit të personave me aftësi te kufizuar për çdo punëdhënës. Po ashtu parashihet edhe masa ndëshkuese ligjore nëse punëdhënësit nuk e respektojnë kuotën e punësimi të PAK” tha ai.
Zëvendësministri Makolli ka shtuar se MPMS në bashkëpunim me grupet e interesit është duke punuar me aktet të tjera nënligjore sekondare me të cilat do të kompletohet në tërësi korniza ligjore e cila do të trajtojë në mënyrë më të dinjitetshme këto kategori të shoqërisë sonë.
Makolli ka nënvizuar se përpos rregullimit të kornizës ligjore, MPMS në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit do të ndihmojë punësimin e këtij komuniteti si dhe do të përcaktojë akterët të cilët do të marrin përgjegjësinë edhe për ofrimin e shërbimeve të nevojshme për të gjitha komunitetet, e në veçanti edhe për komunitetin me sindromën ‘Down’.
“Roli i shtetit për personat me nevoja të veçanta është që atyre t’ju mundësojë arsim dhe forma të tjera të aftësimit profesional, pajisje të punës me mjete të nevojshme, përdorimin e shërbimeve me asistent kur është e nevojshme, dhe materialisht të stimulojë punësimin e tyre në një masë të pranueshme dhe t’i detyrojë punëdhënësit për punësimin e tyre”, tha në fund të fjalës së tij zëvendësministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Vesel Makolli.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti. Kryeministri Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës me avancimin e kornizës ligjore për përkrahjen e personave me sindromën Down, për këtë vit ka miratuar koncept dokumentin për hartimin e projektligjit për gjithëpërfshirje.
“Me këtë projektligj do të sigurohemi që të gjithë personat me sindromën ‘Down’ të kenë përfitimet, vendin dhe statusin e merituar”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Qeveria e Kosovës në vitin 2018 ka miratuar Rregulloren për lehtësirat doganore dhe tatimore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuar dhe për persona me aftësi të kufizuar që ushtrojnë veprimtari të pavarur.