Zëvendësministri nga LV-ja: Po punojmë shtatë ditë në javë për liberalizim të vizave

23 maj 2020 | 08:53

Procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është mundësia e vetme që institucionet t’i përmbushin detyrimet kontraktuale që i kanë me Bashkimin Evropian (BE). Por, sipas zëvendësministrit në detyrë të Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu, një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga qeveritë e kaluara ku, sipas tij, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit nuk është përmbushur në nivel të kënaqshëm.

“Ne e shohim procesin tonë drejt rrugëtimit në Bashkimin Evropian, i cili është një përcaktim i yni strategjik. Bashkimi Evropian mbetet adresa jonë ku ne mëtojmë një ditë të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane, mirëpo kjo rrugë për t’u trasuar në mënyrë të drejtë, ne duhet t’i përmbushim ato detyrime kontraktuale që i kemi me Bashkimin Evropian, e që e para është marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila, fatkeqësisht, nuk është përmbushur në nivel të kënaqshëm nga qeveritë e kaluara”, ka thënë Kryeziu.

Ai për Ekonomia Online ka shtuar se qeveritë e kaluara marrëveshjen për MSA-në e kanë zbatuar vetëm 50 për qind, por që premton se kjo marrëveshje do të zbatohet në tërësi. “Vitin e kaluar, nga të dhënat që vijnë nga qeveria e kaluar, vetëm 50 për qind e planit për zbatimin e MSA-së është implementuar. Ne jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së këtij programi, i cili duhet të votohet në qeveri dhe do të jemi të kujdesshëm në mbikëqyrjen e zbatimit të të gjitha detyrimeve dhe kritereve të cilat i kanë të parapara ministritë e linjës”, ka thënë ai.

Ndryshe nga pasardhësit e tij që jepnin data rreth liberalizimit të vizave, një gjë të tillë nuk e praktikon Kryeziu. Ai ka bërë me dije se për këtë proces po punojnë ditë e natë. “Po ashtu, për t’u lidhur me procesin e vizave, që besoj është proces shumë me rëndësi për qytetarët e Kosovës, proces që janë torturuar kosovarët që mundohemi të jemi të kujdesshëm në dhënien e afateve, po punojmë pa reshtur çdo ditë, e shtunë e diel, që t’i bindim vendet hezituese që sundimin e ligjit e kemi prioritet dhe do të ndërtojmë një shoqëri të barabartë para ligjit”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziut thotë se me marrjen e mandatit puna e parë e udhëheqësve të këtij dikasteri ka qenë punësimi i studentëve përmes bursës “Celula e të Rinjve”. Ai thotë se kanë arritur gjithashtu që t’i largojnë nga objektet me qira stafin e tyre që, sipas tij, arrijnë që t’i shpëtojnë buxhetit të shtetit 300 mijë euro, raporton EO.

“Me marrjen e detyrës nga ministri i Integrimit, gjëja e parë ka qenë rikthimi i ligjit brenda institucionit. Ne kemi larguar nga objektet që kanë qenë me qira gjithë stafin tonë, që kostoja vjetore ka kaluar 300 mijë euro. Po ashtu, i kemi dhënë frymëmarrje bursës ‘Young Cell’ apo ‘Celula e të Rinjve’, ku të rinjtë tanë kanë qenë përfitues të kësaj burse e nuk janë punësuar, mirëpo ka pasur një politizim brenda administratës dhe ne jemi munduar dhe kemi dhënë garanci se të gjithë ata të cilët janë përfitues të kësaj burse të bëhen pjesë e institucioneve siç e parasheh kontrata”, është shprehur Kryeziu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do…