Zëvendësministri Ramadani: Transformimi i FSK-së në ushtri zgjatë 10 vjet
Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë thënë se është larguar çdo dilemë nëse deputetët serbë do të përkrahin krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Siç dihet tanimë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë nisur procedurat për transformimin e FSK-së në ushtri, pavarësisht se kjo mund të përdoret si argument nga Serbia, se ushtria po bëhet pa pëlqimin e serbëve të Kosovës.
Ditë më parë një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka treguar se largimet masive të pjesëtarëve serb të FSK-së, janë orkestruar nga elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja.
Ky konstatim është parë nga autori i raportit, Shpat Balaj si tendencë për rrëzimin e multietnicitetit.
“Rrjedhimisht, këto veprime kanë larguar çdo dilemë se Lista Serbe do t’i përkrahë ndonjëherë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së”.
“FSK-ja është e ndërtuar mbi parimin e shumëllojllojshmërisë dhe multietnicitetit, prandaj mos ndryshimi i Kushtetutës në këtë aspekt, nuk tregon se është duke u formuar një ushtri shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare insiston që të ketë gjithë përfshirje në çdo proces në Kosovë. Por, bashkësia ndërkombëtare e ka edhe të qartë se Lista Serbe është e pamundshme ta votojë transformimin e FSK-së”, ka thënë Balaj.
Ndërsa politologu Ramush Tahiri, ka thënë se kjo tashmë dihet se shteti serb ka ndikim në jetën e serbëve të Kosovës.
“Në tendencat që të krijohet ushtria, ata kanë thënë (Vuçiqi e Daçiqi) pasi po dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë, le ta krijojnë shqiptarët, por pa serb. Dhe, kjo ka dhënë rezultate të konsiderueshme sa i përket politikës serbe. Dhe, tash janë larguar masovikisht dhe Kosova nuk po e plotëson atë kuotën e caktuar që e ka për komunitetin serb, komunitetet tjera janë të përfaqësuara por përfaqësimi serb ka mbet që thonë për tu dëshiruar por nuk është që është plotësuar kriteri”, ka thënë Tahiri.
Rrëzimi i multnietnicitetit i synuar nga Serbia, sigurisht për tu përdorur si argument nga ana e saj, se ushtria po krijohet pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, nuk shihet si problem nga drejtuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, i ka thënë “Radio Kosovës” se transformimi i FSK-së do të nis tani dhe do të zgjasë 10 vjet, derisa, do të njihet nga të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën shtet.
“Ne kemi punuar në vazhdimësi me shtetet partnere dhe me organizatat partnere. Ushtria respektivisht FSK me mandat ushtarak e fillon trazicioni tash, do t’i merr 10 vjet proces të përmbylljes së këtij tranzicioni. Është e njohur ashtu sikurse është Kosova e njohur si shtet, pra prej të gjithëve që e njohin shtetin e Kosovës, pra do ta njohin edhe institucionet e saj, në këtë kuadër edhe ushtrinë e saj”, ka thënë Ramadani
Qeveria ditë më parë ka proceduar projektligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Kurse faktori ndërkombëtar ka vazhduar të përsërisë se do të përkrah këtë proces, vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, ku kërkohen edhe 2/3 e votave të deputetëve të pakicave.