Zëvendësministri Ramadani: Tranzicioni i FSK-së, i sigurt dhe i pakthyeshëm
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani, ka thënë se nuk ka vend për skepticizëm, pasi sipas tij tranzicioni i FSK-së është i sigurt dhe i pakthyeshëm.
“Vendimi për procedimin e projektligjeve nga Qeveria për në Kuvendin e Kosovës nuk është as i atypëratyshëm, as i ngutshëm dhe as i papërkrahje. E tëra bazohet në një punë jashtëzakonisht të detajshme, përpjekjeve të gjata, punë të përbashkët me partnerët strategjikë dhe planit të qartë dhjetëvjeçar. Prandaj, jemi në rrugë të sigurt. Pa asnjë dilemë! Kosova po kthehet gradualisht në kontribuues për sigurinë rajonale dhe globale. Djemtë e vajzat e Kosovës do të jenë krah përkrah me botën demokratike për të siguruar paqen kudo nëpër botë. Rajoni ynë do të përfitojë nga tranzicioni i FSK-së. Qytetarët dhe komunitetet në Kosovë do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e FSK-së”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/