Zëvendësministri Shkodra: Luftimi i krimit të organizuar është interes vital dhe jetik për Republikën e Kosovës
Sot është mbajtur takimi i radhës i grupit ndërinstitucional për implementimin e Strategjisë dhe planit të veprimit kundër krimit të organizuar.
Sipas njoftimit për media, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh Koordinator Kombëtar Kundër Krimit të Organizuar, Selami Shkodra, përgëzoi grupin ndër institucional për punën që kanë bërë.
Ai tha se edhe në bazë të vlerësime të raporteve të fundit Kosova ka shënuar progres në ranglistën sa i përket perceptimit për korrupsion dhe kjo është edhe falë punës së këtij grupi.
“Luftimi i krimit të organizuar është interes vital dhe jetik për Republikën e Kosovës dhe është pjesë e vazhdueshme e punës se institucioneve të sigurisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një ndër kriteret kryesore për integrimet e vendit në strukturat evropiane”, theksoi Shkodra.
Zëvendësministri Shkodra kërkoi nga të gjithë akterët e përfshirë që të intensifikohet edhe më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe se sipas tij duhet të dërgohet mesazhi për përkushtimin e tyre, sepse siç tha ai kjo është edhe një ndër kërkesat e aleatëve strategjik të Kosovës.
Të gjithë anëtarët e grupit raportuan për periudhën e kaluar ku u vlerësua se janë realizuar shumica e objektivave, megjithatë mbeten edhe shumë sfida që do të realizohen në periudhat e ardhshme.