Zëvendësministri Shkodra: Të gjithë atë që do të bëjnë shkelje do të përballen me ligjin
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur të premten takimi i autoritetit qeveritar për Strategjinë Shtetërore kundër Krimit të Organizuar dhe Planin e Veprimit 2018-2022.
Takimin e hapi koordinatori nacional Kundër Krimit të organizuar, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra.
Të gjithë akterët u njoftuan me strategjinë e re, e cila është miratuar në Qeverinë e Kosovës.
Strategjia për periudhën 2018-2022 është vazhdimësi e strategjisë paraprake dhe në të janë të përfshirë aktivitete që do të ndihmojnë në luftimin e krimit të organizuar.
Fillimisht zëvendësministri Shkodra ka prezantuar para autoritetit Strategjinë Shtetërore dhe Planin e Veprimit kundër Krimit të Organizuar 2018-2022. Ai ka kërkuar angazhim të gjithë akterëve në mënyrë që të implementohen aktivitet e parapara në këtë strategji.
“Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme që po bën Policia e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, kërkojë angazhim shtesë duke marrë për bazë rastet e fundit të shtimit të veprave penale. Kam besim të plotë se Policia e Kosovës është e aftë dhe do të menaxhojë edhe me këto raste me sukses”, ka thënë zëvendësministri Shkodra.
Ai është zotuar se do të bëhen përpjekje maksimale në luftimin e të gjitha llojeve të krimit në Kosovë, duke theksuar se të gjithë atë që do të bëjnë shkelje do të përballen me ligjin.
Ministria e Punëve të Brendshme është bartëse kryesore e strategjive të mëparshme dhe nën udhëheqjen e saj ka hartuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër Krimit të Organizuar 2018-2022.
/Epoka e re/