Zëvendësministri Zeka u shkruan letër udhëheqësve të shtetit lidhur me procesin e legalizimit të armëve
Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, u ka dërguar shkresë krerëve shtetërorë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, lidhur me procesin e legalizimit të armëve.
Kjo kërkesë e zëvendësministrit Zeka ka të bëjë për mbështetjen publike dhe të fuqishme të procesit të legalizimit të armëve në Republikën e Kosovës.
Zeka ka thënë se procesi i legalizimit i iniciuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, është pjesë përbërëse e interesit dhe përpjekjeve të shtetit të Kosovës për rritjen dhe forcimin e sigurisë publike në Kosovë.
“Keqpërdorimi i armëve dhe trafiku i tyre i paligjshëm nuk janë shqetësim vetëm për sigurinë publike në Kosovë, por edhe për rajonin, duke qenë se nxisin krimin e organizuar dhe terrorizmin, ndërkohë që siguria jonë është e lidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian. Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës e kanë lansuar vetë këtë proces, dhe deri më tash kemi parë interes të madh; por kërkohet edhe mbështetja juaj për promovimin e legalizimit të armëve, në mënyrë që përpjekjet tona të jenë vërtetë të suksesshme dhe të sigurohet interesi jonë i përbashkët për një Kosovë më të sigurt”, ka thënë Zeka.
Ai ka bërë me dije se deri më sot janë 508 kërkesa për legalizim të armëve, dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar 216 pëlqime.
“Jemi të vetëdijshëm se ka ende mundësi që të përmirësohet procesi, dhe shprehim angazhimin tonë për vazhdimin e punës për trajtimin e këtyre hendekëve dhe për zbatimin në të ardhmen të mësimeve të nxjerra. Pasojat humanitare të flukseve të paligjshme të këtyre armëve mund të jenë shkatërruese, duke rezultuar në viktima civile dhe duke penguar zhvillimin. Për këtë arsye është e domosdoshme që çështja e armëve të lehta dhe të vogla të përfshihet në diskursin publik, si dhe të punojmë së bashku për parandalimin efektiv të krimeve të lidhura me armët dhe për adresimin e pasojave të flukseve të paligjshme të armëve”, ka thënë ai.
Zeka ka njoftuar përfaqësuesit e shtetit se në vitin 2018, nën kujdesin e Gjermanisë dhe Francës u lansua një iniciativë e përbashkët për udhërrëfyesin për zgjidhjen e qëndrueshme të posedimit, keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm të legalizimit të armëve të vogla dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor, e cila u miratua në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, më 10 korrik 2018.
Kjo iniciativë, sipas Zekës përqendrohet në reduktimin e ndjeshëm të armëve të zjarrit në posedim të paligjshëm në Ballkanin Perëndimor.
“Bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, në vendet ku incidente janë të pakta me armë zjarri të poseduara në mënyrë të ligjshme, ose aty ku bëhet kalimi nga një sistem i regjistrimit të armëve në tjetrin, siç është rasti edhe në Kosovë, reduktimi i armëve të zjarrit në posedim të paligjshëm mund të realizohet përmes kufizimit të kërkesës dhe furnizimit, përmes konfiskimit dhe dorëzimit vullnetar, përmes çaktivizimit, dhe sidomos përmes legalizimit. Nëpërmjet ofrimit të këtyre opsioneve, të gjitha metodat janë të disponueshme në mënyrë që qytetarët ta respektojnë ligjin. Ky proces është në harmoni me direktivën e BE-së për armët e zjarrit 91/477/EEC, të ndryshuara në vitin 2018, dhe kjo direktivë përcakton një masë shoqëruese për tregun e brendshëm. Kjo vendos ekuilibrin mes: 1) angazhimit për të siguruar njëfarë lirie të lëvizjes për disa armë zjarri dhe komponentët e tyre esencialë; dhe 2) nevojës për ta kontrolluar këtë liri duke përdorur garancitë e sigurisë së përshtatshme për ato produkte. Ju ftoj dhe jam në dispozicionin tuaj për ta diskutuar në mënyrë më të detajuar fushatën e legalizimit dhe vizionin tonë të përbashkët për mënyrën e trajtimit të kërcënimit të këtyre armëve dhe municioneve të tyre”, ka thënë zëvendësministri Zeka.
/Epoka e re/