Zëvendësministrja Bakija-Deva porosi për LDK-në dhe Alternativën: Gëzojuni projekteve në Gjakovë
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka reaguar ndaj asamblistëve të opozitës, LDK-së dhe Alternativës, të cilët nuk e votuan vendimin e kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili mori përkrahjen e asamblistëve tjerë, për ndarjen e parcelës për ndërtimin e fushës sintetike të futbollit në këtë komunë.
Ajo asamblistëve të LDK-së dhe Alternativës u ka thënë se duhet të gëzohen për projektet për Gjakovën.
Sipas Bakija-Devës, këto projekte nuk po realizohen për pozitën por për të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës.
Zëvendësministrja Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, ka akuzuar LDK-në dhe Alternativën për mosrealizim të projekteve në mandatin e kaluar në komunën e Gjakovës.
“Projektet për të cilat ju keni pasur përgjegjësi si në qeverisjen lokale po ashtu edhe në qeverisjen qendrore e nuk i keni realizuar, ato veç po ndodhin”, ka thënë zëvendësministrja Bakija-Deva, e cila i ka uruar qytetarët e kësaj komune për investimet që po ndodhin.
Postimi i plotë i zëvendësministres:
Urime Gjakovë
Investimet po ndodhin
Ju përfaqësues të qytetarëve të Gjakovës, gëzohuni për projektet për Gjakovën, sepse ato nuk po realizohen për pozitën por për të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës.
Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjakovës,
Më lejoni që përmes kësaj letre të sqaroj situatën rreth projektit për ndërtimin e Fushës së Futbollit.
Sot Asambleja Komunale në Gjakovë miratoi vendimin e kryetarit të komunës, Ardian Gjini, për ndarjen e parcelës për ndërtimin e fushës sintetike të futbollit. Pjesa e parcelës së cekur caktohet për ndërtimin e fushës së futbollit-sintetike, sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s, e cila do të shfrytëzohet nga klubet e futbollit të Komunës së Gjakovës që garojnë në Super Ligën e Kosovës.
Investimi për këtë projekt është i përbashkët që do të bëhet në bazë të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet tri institucioneve, si Federata e Futbollit e Kosovës, e cila do të investojë 120.000 euro, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport që do të investojë shumën prej 100.000 euro, si dhe Komuna e Gjakovës që për këtë dedikim do të ndajë 30.000 euro.
I përgëzoj të gjithë ata asamblistët e pozitës dhe opozitës që votuan këtë vendim, me të cilin do të përfitojnë të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës. Ajo çfarë më bëri përshtypje është mosvotimi i këtij vendimi nga asamblistët e Alternativës dhe LDK-së.
Injoranca s’paska të ndalur.
Përderisa Fushat e Tenisit ishin të parapara në projeksionin buxhetor të Qeverisë së Kosovës që nga viti 2014, në Qeverisjen Mustafa, ky investim nuk ndodhi asnjëherë por mbeti vetëm në letër. Për më shumë, në vitin 2016 MKRS-ja kishte planifikuar që të investojë 70.000 euro për përpilimin e projekteve të fushave të tenisit në Komunën e Gjakovës dhe të Pejës, mirëpo këto mjete nuk u shpenzuan ashtu siç u planifikuan, sepse e tërë shuma e mjeteve, me vendimin e Qeverisë Mustafa u përcaktua të investohet në Pejë.
Ku ishin Asamblistët e LDK-së në Gjakovë që nuk reaguan fare, e për çudi as kryetarja e komunës nuk kishte reaguar për hir të koalicionit që kishte me LDK-në në Qeverisje Lokale.
Në vitin 2017 MKRS-ja kishte nënshkruar Memorandum me Komunën e Gjakovës për realizimin e këtij projekti por meqenëse ishim në vit zgjedhor, Qeverisja Komunale kishte vendosur që ta shfrytëzonte këtë projekt për fushatë ku pikërisht me 29 gusht 2017, ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës erdhi me ekipin e saj bashkë me një karrocë beton dhe nja dy lopata dhe vendosën gurëthemelin e fushave të tenisit.
Ky gurëthemel përveç impaktit medial nuk solli asnjë rezultat për faktin që parcella e përcaktuar ishte e pa studiuar mirë dhe Komuna e Gjakovës nuk I kishte përmbushur detyrat e saj bazuar në Memorandum (nuk ndërmori hapat e duhur për bashkëpunim me KEDS-in për zgjidhjen e problemit të kabllove të tensionit të rrymës), dhe si rezultat edhe sot e kësaj dite gjendja në këtë parcellë është vetëm një gropë që ka humbur të gjitha gjurmët e gurëthemelit.
Ku ishin asamblistët e Alternativës dhe Qeverisja e kaluar Komunale që nuk bënë zgjidhjen e problemit të rrymës, por e kryen punën vetëm për shoë-in mediatik me vendosjen e gurëthemelit.
Njëjtë kishte ndodhur edhe me projektin e Objektit të Kulturës në Rogovë, ku në kohë fushate Ministri i kaluar i Kulturës së bashku me ish Kryetaren, nënshkruan Memorandum për ndërtim, pa pasur asnjë planifikim buxhetor.
Të nderuar qytetarë të komunës së Gjakovës, ju siguroj që slogani i Aleancës “Së pari Kosova, e tani Gjakova” i cili po tentohet të abuzohet nga kundërshtarët politik, vërtetë po ndodhë. Fushat e Tenisit do të ndërtohen në Shkugëz, sepse Komuna e Gjakovës veç është ne bisedime me KEDS-in për zgjidhjen e problemit të kabllove të rrymës, dhe fusha e futbollit aspak nuk e cenon hapësirën dhe realizimin e projektit të fushave të tenisit, ashtu siç ishte paraparë (bashkangjitur keni planin e situacionit).
Në Gjakovë do të ndërtohet edhe fusha e futbollit-sintetike, sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s, e cila do të shfrytëzohet nga klubet e futbollit të komunës së Gjakovës që garojnë në Super Ligën e Kosovës. Objekti i Kulturës në Rogovë do të ndërtohet. Dhe shumë e shumë projekte të tjera do të realizohen në Gjakovë.
Andaj kërkoj nga disa asamblistë të opozitës të kuptojnë që projektet për Gjakovën janë projekte për Qytetarët e Komunës së Gjakovës e jo projekte të pozitës. Projektet për të cilat ju keni pasur përgjegjësi si në Qeverisjen Lokale po ashtu edhe në Qeverisjen Qendrore e nuk i keni realizuar, ato veç po ndodhin!
Urime qytetarë të komunës sime