Zëvendësministrja Bakija-Deva priti në takim Richard Mei dhe Ellen Frank
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, ka pritur sot në takim zyrtarin për marrëdhënie me publikun në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Richard Mei, dhe udhëheqësen artistike të iniciativës ndërkombëtare “Cities of Peace” apo “Qytetet e paqes”, Ellen Frank.
Organizatë kjo, me seli në ShBA, që synon që përmes krijimit të veprave të arti të nxit dialogun ndërkulturor dhe ndërtimin e paqes në vendet ku kanë ndodhur luftëra.
Pas përfundimit me sukses të fazës së parë të realizimit të veprës së artit – Qyteti i Prishtinë, që do të jetë simboli i nderit për Kosovën, ky projekt do të fillojë me fazën e dytë ku do të jetë përsëri në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe programin Fullbright Programe në kuadër të State Department-Bureau of Educational and Cultural (ECA SHBA).
Vepra origjinale që nderon Kosovën, do të bashkohet me koleksionin e veprave të qyteteve tjera, që janë përzgjedhur për të qenë “Qytete të Paqes”, dhe do të udhëtojë nëpër botë, duke filluar nga Selia e Kombeve të Bashkuara në New York.
Veprat origjinale do të jenë të paraqitura në Zyrën e Presidentit të Republikës, në Ministrinë e Punëve te Jashtme, në Ministrinë e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në Universitetin e Prishtinës si dhe në Muzeun e Kosovës.
“Në emër të MKRS-së shpreha gatishmërinë që të përkrahim përsëri një nisme të tillë që do të realizohet në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe që do të ketë ndikim të rëndësishëm, në promovimin e Republikës së Kosovës përmes formave të avancuara të diplomacisë kulturore, ku pa dyshim, një nga storiet më të shënuara të suksesit sot në botë, në këtë lloj të promovimit, janë projektet e realizuara nga Cities of Peace. Për më shumë ne jemi shumë të kënaqur të mirëpresim dhe të përkrahim projekte të cilat do të ndihmojë të promovohet trashëgimia kulturore e Kosovës, me qytetet e tjera botërore”, ka thënë zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva.
/Epoka e re/