Zëvendësministrja Bakija-Deva viziton komunën e Deçanit, interesohet për projektet zhvillimore

25 shtator 2020 | 19:31

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Bakija-Deva, ka vizituar të premten Komunën e Deçanit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, me të cilin ka biseduar për projektet zhvillimore në Deçan si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo kumunë gjatë zbatimit të këtyre projekteve.

“Gjatë këtij takimi, patëm rastin të prezantojmë edhe draftin final të Planit hapësinor të Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ ku përfaqësuesit e IPH prezantuan edhe projektet zhvillimore të Komunës së Deçanit të cilat do të jenë pjesë e këtij plani”.

“Plani hapësinor i Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ është dokument i cili do të promovojë interesat e përbashkëta të banorëve të Kosovës në përgjithësi dhe të kësaj zone në veçanti, për një zhvillim më të shpejtë ekonomik, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës, por njëkohësisht edhe të mbrojë mjedisin, resurset, trashëgiminë natyrore dhe kulturore”, ka shkruar Bakija-Deva në llogarinë e saj në “Facebook”.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, ka theksuar se me miratimin e këtij dokumenti në Kuvendin e Kosovës, do të sigurohet ruajtja e biodiversitet të pasur ku të gjitha habitatet dhe llojet janë të ruajtura. “Shfrytëzimi i qëndrueshëm i tokës në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit socio-ekonomik të tij, me theks të veçantë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, i cili rritë mirëqenien e komunitetit brenda dhe përreth tij”, ka shkruar ajo.

Gjatë kësaj vizite, së bashku me kryetarin Ramosaj, Bakija-Deva ka vizituar edhe projektet zhvillimore të kësaj komune, siç janë Rruga Deçan-Plavë, projekti i elektrifikimit si dhe projekte të tjera që janë në zbatim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava,…