Zëvendësministrja e Jashtme dënohet me 500 euro gjobë
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, është dënuar me 500 euro gjobë pasi është shpallur fajtore se ka deklaruar me vonesë pasurinë.
Fillimisht, gjykata më 15 qershor të 2022-s ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Gashit për veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Gashi në cilësinë e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë edhe pse ka qenë e njoftuar përmes vendimit për emërim nga kryeministri Albin Kurti si dhe nga zyrtarja kontraktuese brenda ministrisë, e njëjta deklarimin e pasurisë e ka bërë me vonesë.
Gjykatësi Eroll Gashi pasi ka shqyrtuar aktakuzën dhe shkresat e lëndës, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për dhënien e urdhrit ndëshkimor.
Gjykata po ashtu ka sqaruar në vendimin e saj se dënimi i shqiptuar me gjobë prej 500 euro ndaj Gashit, është vendim meritor dhe vendim përmes të cilit do të parandalojë të akuzuarën Gashi që të kryejë vepra tjera penale në të ardhmen.
Për mosdeklarim të pasurisë ishte dënuar edhe ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, me 700 euro gjobë me 29 dhjetor 2022. /BetimipërDrejtësi