Zëvendësministrja Krasniqi ia përmend UÇK-në Serbisë në takimin e CEFTA-së
Gjatë mbledhjes së vendeve nënshkruese të CEFTA-së, në qytetin e Vlorës në Shqipëri, Kosova ka kundërshtuar ashpër Serbinë kur kjo e fundit i’u ka referuar Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”.
Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë Arbëreshë Krasniqi, që ka përfaqësuar Republikën e Kosovës, ka argumentuar dhe ka kundërshtuar Serbinë, duke kërkuar që të mos ndodhë më diçka e tillë.
“Metohija ka përfunduar së ekzistuari që nga viti 1998-99, kjo falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe natyrisht duke iu falënderuar miqve tanë ndërkombëtar Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran më 17 shkurt 2008. Ne si përfaqësues të Republikës së Kosovës nuk lejojmë të përdorin terma fyes ndaj shtetit tonë. Kjo fyerja ndaj Republikës së Kosovës është e papranueshme dhe ne do ta lëshojmë takimin, derisa ta kuptoj Serbia se kështu nuk mund të vazhdohet, sepse këto terme janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministrja Krasniqi.
Pas kësaj pala kosovare ka lëshuar takimin, në shenjë kundërshtimi, dhe në mes shteteve nënshkruese të CEFTA-së është dakorduar më tutje që Serbia nuk guxon më të përdor terma të tilla, ose nuk mund të vazhdohet me takimin. .
Pas një pauze të shkurtër Kosova është kthyer në takim, por që Serbia ka bojkotuar duke mos qenë e gatshme që të rikthehet në takim.
Po ashtu gjatë takimit ka pasur debat për vendosjen e taksës, e që Krasniqi i ka dhënë argumentet e saja, që Serbia dhe Bosnja janë të vetmet vende që janë nënshkruese të CEFTA-së, dhe mallrat e Kosovës nuk mund të kalojnë as transit. Madje Krasniqi ka parashtruar pyetje në drejtim të palës serbe, se për 20 vite radhazi Kosova është bllokuar në të bërit biznes në shtetin e Serbisë.
“Më shumë se 100 kompani nga Serbia kanë fituar tender publik në Republikën e Kosovës, por Aasnjë kompani nga Kosova nuk ka mundur as të konkurroj në Serbi. Po ashtu Serbia dhe Bosnja nuk njohin targat e Kosovës, dhe asnjë dokument tjetër. Dhe Kosova është detyruar të marr veprime konkrete, duke vendosur masë ndaj mallrave të këtyre dy shteteve”, tha Krasniqi.
Në fund Krasniqi ka thënë se masa 100 për qind, nuk është e rastësishme, dhe veprimet e tilla e kanë detyruar Kosovën ta marr këtë masë.