Zëvendësministrja Vuniqi: Interesimi për projektet e financuara nga WBF ka shënuar rritje
Sot në Ministrinë së Punëve të Jashtme të Kosovës është mbajtur sesioni i tretë informues i Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF), me rastin e thirrjes së tretë dhe të fundit informues, për projekt-propozimet rajonale.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi ka thënë se Fondi i Ballkanit Perëndimor i cili tash e një vit kryesohet nga Republika e Kosovës është krijuar me qëllim të promovimit të zhvillimit të bashkëpunimit më të ngushtë dhe fuqizimit të lidhjeve në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe prezantimin e përbashkët të WBF-së tek vendet e treta.
“Jemi të lumtur që interesimi për projektet e financuara nga WBF ka shënuar rritje, dhe se tani kur kanë mbetur më pak se dy muaj deri në përfundimin e kryesimit me këtë fond, mund të konkludohet se Kosova bëri një udhëtim të shkëlqyeshëm dhe ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe unifikues gjatë gjithë rrugëtimit të saj”, ka thënë zëvendësministrja Vuniqi.
Ndërkaq drejtor i WBF-së, Gjergj Mura, para të pranishmëve ka theksuar se ky projekt është për të gjithë dhe se duhet të punojnë të bashku në mënyrë që të arrihen sukseset. “Arsyeja pse jemi këtë është sepse Kosova e ka presidencën e Fondit Ballkanik për vitin 2019, dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar znj. Vuniqin dhe të pranishmit të tjerë për këto angazhime. Jam i sigurt që në të ardhmen me mbështetjen dhe kurajon e Prishtinës si partenere e fondit tonë do të arrijmë më shumë rezultate. Është në dorën e juaj të propozoni projekte dhe të arrini suksese. Do t’ju kisha lutur juve që të jeni më kërkues dhe që të pyesni ekspertët e tanë për informatat që ju nevojiten”, ka thënë Mura.
Fondi për Ballkanin Perëndimor (WBF) është krijuar me qëllim të promovimit të zhvillimit të bashkëpunimit më të ngushtë dhe fuqizimit të lidhjeve në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe prezantimin e përbashkët të WBF-së tek vendet e treta.
Republika e Kosovës e ka marrë kryesimin njëvjeçar të WBF-së që nga data 1 janar 2019.
/Epoka e re/