Zëvendëspresidenti i PE-së: Mos premtoni asgjë për vizat
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian (PE), Rainer Wieland, ka bërë me dije se në këtë institucion nuk ka ardhur ndonjë dokument për t’u votuar në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka porositur Kosovën që të mos nguten për të dhënë afate rreth heqjes së vizave.
“Shumë gjëra ende duhet të kryhen. Po shoh që vendi ka bërë progres dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim vendin në gjërat të cilat duhet të kryhen. Nuk shoh ndonjë momentum që dokumenti për viza të vjen në Parlamentin Evropian që të votohet. Parlamenti Evropian insiston që kushtet të plotësohen. I rekomandoj të gjithëve që të mos bëjnë premtime për liberalizimin e vizave që mund të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Wieland në një konferencë të përbashkët me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke folur për aktakuzat e ministrave brenda Qeverisë Haradinaj, ka thënë se është sinjal i gabuar që po i dërgohet BE-së për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
/Epoka e re/