Zgjatet deri në orën 23:59 afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se është zgjatur deri në orën 23:59 afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Elezi ka treguar për “Epokën e re” se një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e sotme të KQZ-së.
“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024. Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës”, ka deklaruar Elezi.