Zgjatet edhe 30 ditë gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut e zgjati edhe me një muaj gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të virusit Corona. Disa politikanë të lartë maqedonas ndodhen në vetizolim për shkak të kontakteve me personat e testuar pozitivisht.
Për gjendjen e krijuar nga virusi është diskutuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e presidentit të vendit, Stevo Pendarovski. Siç raporton DW, aty u mor edhe vendimi për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut edhe për 30 ditë apo deri më 17 maj. “Në bazë të vlerësimeve të bëra vërehet qartë se është e nevojshme të vazhdohet gjendja jashtëzakonshme. Ky vendim do të vlejë për 30 ditët e ardhshme”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.
Lidhur me gjendjen në Kumanovë, presidenti Stevo Pendarovski ka thënë, se qëndrimi i tij është që edhe ky qytet të futet në karantinë shtetërore, sikur edhe qyteti i Dibrës që me sukses ka përballuar gjendjen me pandeminë. Presidenti ka kërkuar që pas festave të Pashkëve, qeveria të mendojë për lehtësimin e masave të lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vënies në funksion të kapaciteteve ekonomike.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe i Arsimit, Arbër Ademi i janë nënshtruar vetizolimit shtëpiak, pas kontaktit që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski që ka rezultuar pozitiv me virusin Corona. “Për momentin, në Qendrën lokale për Shëndetin Publik në Kumanovë po bëhen vlerësimet epidemiologjike dhe kontaktet e kryetarit Dimitrievski. Gjatë ditës, do të përcaktohet se sa dhe cilët persona do të duhet të qëndrojnë në izolim 14-ditor. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ishte e përgatitur për të gjitha skenarët, përfshirë një situatë të tillë.
Sipas njoftimeve zyrtare, puna e qeverisë maqedonaseveriore vazhdon të zhvillohet përmes komunikimit digjital. Edhe në kushte izolimi, vazhdon komunikimi i rregullt dhe koordinimi i të gjitha proceseve në vend dhe menaxhimi i krizës së virusit Corona”, thuhet në një komunikatë të qeverisë. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka njoftuar se nga dita e enjte është futur në vetizolim. “Pas konfirmimit pozitiv për COVID-19 të Kryetarit të Kumanovës, e meqë të mërkurën kishim takim në Shtabin Komunal në Kumanovë, pavarësisht se gjatë gjithë kohës kam qenë me mjete mbrojtëse personale, maskë dhe doreza që epidemiologët i vlerësojnë si të mjaftueshme për t’u mbrojtur, vendosa që të enjten të mos shkoj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë te presidenti si dhe të vetizolohem deri të martën kur duhet të bëhet testimi sipas protokolleve”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Në vetëizolim shtëpiak gjenden edhe dy liderët e partive më të mëdha maqedonase Zoran Zaev nga LSDM dhe Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE. Të dy liderët partiakë kishin zhvilluar më parë disa intervista me një gazetar që ka dalë pozitiv pas testit të virusit Corona.
Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 107 të infektuar të rinj dhe një i vdekur nga Covid-19. Ky është numri më i lartë i të infektuarve brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë. Gjithsej numri i të prekurve nga virusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1081 persona, prej të cilëve 46 vetë kanë ndërruar jetë, ndërsa janë shëruar 98 persona.