Zgjedhën pesë anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së
Senati i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur pesë anëtarët e Këshillit Drejtues.
Zgjedhja e këtyre anëtarëve është bërë me votim të fshehtë.
Anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së janë zgjedhur: Bedri Bahtiri, Alberta Troni, Zenun Halili, Kemajl Bislimi dhe Naser Kabashi.
Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.
Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.
Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.
Rektori dhe sekretari i përgjithshëm i Universitetit janë anëtarë ex-officio të Këshillit Drejtues pa të drejtë vote.
/Epoka e re/