Zgjedhja e kreut të KE-së mund të ngjallë përplasje brenda BE-së
Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, ka thënë se kreu i ri i Komisionit Evropian (organi kryesor ekzekutiv i BE-së) duhet të zgjedhet nga kandidatët e paraqitur prej grupeve parlamentare.
Kjo mund të ngjallë përplasje mes parlamentit dhe disa udhëheqësve të BE-së që kanë kërkuar një mundësi të zgjedhjes më të gjerë të pasuesit të Jean-Claude Juncker, kreut të deritashëm të Komisionit Evropian.
Sipas rregullave, liderët e BE duhet të marrin në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve për të zgjedhur një president të ri të Komisionit Evropian, por nuk do të thotë që duhet të zgjedhin kandidatët që i propozojnë grupet në parlamentin Evropian.
Parlamenti Evropian megjithatë do të duhet të miratojë presidentin e ri dhe kjo mund të çojë në një periudhë të gjatë të përplasjeve midis ligjvënësve dhe udhëheqësve të BE-së.
Gjatë muajve të ardhshëm, BE-ja gjithashtu duhet të zgjedhë liderë të rinj për Këshillin e BE-së, parlamentin, Bankën Qendrore Evropiane dhe një shef të politikës së Jashtme.
Tradicionalisht, zgjedhjet për ato pozita gjithmonë janë të ndërlidhura dhe i nënshtrohen debatit midis grupeve politike.
Ndërkohë të martën në mbrëmje udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë rreth asaj se kush duhet të udhëheqë institucionet kyçe të bllokut të 28 shteteve për pesë vitet e ardhshme. /Rel/