Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, LV-ja deponon nënshkrimet për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme
Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka njoftuar se grupi i këshilltarëve komunalë të kësaj partie ka deponuar nënshkrimet për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit.
LV-ja ka njoftuar se nuk do të propozojnë asnjë asamblistë për kryesues të kuvendit komunal.
“Në një situatë të tillë, duke qenë grupi më i madh në Kuvendin Komunal, dhe duke e ditur përgjegjësinë e përfaqësimit të qytetarëve të Prishtinës si dhe nevojën për lëvizjen e proceseve përpara, grupi ynë i këshilltarëve komunal ka deponuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit. Me qëllim të zhbllokimit të gjendjes së krijuar dhe të kthimit të normalitetit e funksionalitetit në kuvend, Lëvizja Vetëvendosje! në Prishtinë njofton opinionin publik se nuk do të propozojmë ndonjë asamblistë të grupit tonë për kryesues të kuvendit komunal, përkundër faktit që jemi partia e parë në kryeqytet”, është thënë në njoftimin e LV-së.
Më tutje, Vetëvendosje ka vlerësuar se Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke vazhduar të jetë jofunksional.
“Kuvendi vazhdon të mbetet jo funksional dhe po bëhen tre muaj që nuk është mbajtur asnjë mbledhje e rregullt. Shumë çështje esenciale për qytetin, rregullore e projekte, pika diskutimi e vendime, kërkesa e ankesa, kanë mbetur pezull dhe të pa trajtuara nga ata që janë të zgjedhur dhe kompetentë për këtë punë, këshilltarët komunal. Kjo bllokadë totale, ku po mungon llogaridhënia dhe transparenca, padyshim i konvenon vetëm pushtetarëve komunal, atyre që vet e sollën këtë gjendje. S’ka se si të jetë ndryshe kur kemi parasysh faktin se janë ata që nuk thërrisnin mbledhje në kohën kur kuvendi kishte kryesues dhe gjithashtu tash e dy javë nuk morën veprime për funksionalizimin e kuvendit, për të propozuar kryesues të ri”, është thënë në njoftimin e LV-së.
Krejt në fund, LV-ja i ka bërë thirrje të gjithë këshilltarëve komunalë nga të gjitha subjektet politike që të vijnë në mbledhjen e thirrur.
“Me këtë rast i bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve komunal, nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në kuvend, të vijnë në mbledhjen e thirrur dhe bashkërisht të japim kontributin tonë që Kuvendi Komunal i Prishtinës nga një kuvend i mbledhjeve solemne dhe të jashtëzakonshme të kthehet në kuvend të rregullt e produktiv, ashtu siç do duhej të jetë dhe ashtu siç e kërkojnë qytetarët”, është thënë në njoftim.
Pëllumb Bajqinovci është shkarkuar nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në seancën e jashtëzakonshme më 27 shkurt.
Votimi për shkarkimin e tij erdhi pas prishjes së koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në kryeqytet.