Zgjedhjet afër: Kush janë përforcimet më të reja të partive politike?
Me afrimin e zgjedhjeve të reja, partitë politike nuk po qëndrojnë duarkryq. Përveç shtimit të aktiviteteve në teren dhe mobilizimit të strukturave partiake, ato kanë menduar edhe për përforcime të reja.
Në muajit e fundit, partitë politike, sidomos ato opozitare, kanë prezantuar prurjet e tyre të reja, raporton Nacionale.
Radhët e PDK-së dhe LDK-së janë përforcuar me gjeneralë të njohur të UÇK-së dhe FSK-së. Ndërsa, AAK-ja dhe Nisma janë përforcuar me disa profile akademike.
Në muajin maj, PDK-ja ka prezantuar si zyrtar të saj ish-komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Atë e ka prezantuar në një konferencë për media kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Mirë se vjen në Partinë Demokratike të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Faleminderit për besimin dhe nderin që na ke bërë të gjithëve në PDK. Na priftë e mbara bashkë!”, kishte shkruar Krasniqi.
Më pas, Krasniqi ka prezantuar edhe tri përforcime të reja nga diaspora.
“Eron Muhaxheri, master në administrim digjital të biznesit, i flet tri gjuhë. Arlind Kuqica, i diplomuar në shkenca, i flet katër gjuhë. Dhe, Drin Çeku, master në ndërmarrësi dhe menaxhmet, i flet pesë gjuhë”, ka shkruar Krasniqi, duke shkruar se përvoja e tyre do t`i shërben PDK-së.
Edhe LDK-ja është përforcuar me një profil ushtarak. Muajin e kaluar gjeneral Fadil Hadërgjonaj i është bashkuar partisë së Lumir Abdixhikut.
Ky i fundit ka thënë se ai do të jetë një vlerë e shtuar në parti për zgjedhjet e ardhshme.
“Mirë se vjen, Gjeneral! Gjeneral Fadil Hadërgjonaj, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. ‘Bjeshka’ siç e thërrasin shokët e luftës, është një prej figurave më të shquara e të njohura në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Fadili shkollimin e kreu në vitin 1989, në Akademinë Ushtarake të ish APJ-së, në drejtimin ‘Mbrojtja e Hapësirës Ajrore’, për të vazhduar më pas në Shkollën Komando Shtabore në vitin 2008. Ndërsa vazhdoi shkollimin në Akademinë për Mbrojtje në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2011 – 2015. Në vitin 2018 magjistroi në Shkencat e Sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Në këtë drejtim duarkryq nuk kanë qëndruar as AAK-ja dhe Nisma që në fillim të vitit kanë bërë koalicion parazgjedhor.
Në fillim të prillit, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka prezantuar si përforcim profesorin Mensur Neziri.
“Vizioni i Aleancës për një shtet të sigurtë e të zhvilluar ekonomikisht po merr mbështetje anekënd vendit. Koalicioni i prirë nga Aleanca po dëshmohet si forcë serioze politike për t’i sjellë Kosovës ndryshimin e nevojshëm. Në këtë rrugëtim për shtetin, na janë bashkuar shumë njerëz me vlera, profesionistë të dëshmuar në shumë fusha. Sot, Aleancës i bashkohet edhe z. Mensur Neziri – profesor universitar e me një përvojë të gjatë institucionale dhe akademike”, kishte shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, në muajin shkurt, Aleancës iu kishte bashkua edhe profesori Nagip Skenderi.
Edhe Nisma Socialdemokrate, e cila udhëhiqet nga Fatimir Limajt, është përforcuar.
Javën e kaluar në këtë partia ka aderuar ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku. Kurse, kohë më parë kësaj partie i është bashkuar edhe ish-ministri i Diasporës Fatmir Matoshi.