Zgjedhjet duhet të mbahen në fund të verës ose fillim të vjeshtës
Politologu Belul Beqaj ka thënë se tashmë ka ardhur koha për një rotacion të pushtetit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se duhet krijuar një qeveri kalimtare e cila do t’i përfundonte disa procese të rëndësishme.
“Personalisht mendoj se pas gati njëzet vjetëve duhet bërë rotacion të pushtetit. Duke krijuar një qeveri kalimtare e cila do të bënte reforma zgjedhore, ndryshimin e Kushtetutës, mund t’i kryente edhe obligimet e papërmbushura nga procesi i dialogut me Serbinë”, është shprehur Beqaj, duke shtuar se vendi gjendet në udhëkryq. “Kosova është në udhëkryq. Qeveria ishte në udhëkryq, kryeministri ka pasur dy rrugë: të vazhdojë si aventurier drejt greminës apo të manovrojë me shpresë se do t’i shpëtojë greminës. Gjykata Speciale ndërkombëtare do ta humbë kredibilitetin nëse edhe për të tretën herë Ramush Haradinaj lirohet nga Haga po u ngritur aktakuza. Ndërsa do të humbë kuptimin nëse ngritët aktakuza më shumë në sajë të argumenteve politike sesa juridike”, ka deklaruar ai.
Pas zhvillimeve të fundit, sipas Beqajt, vendi do të shkojë në zgjedhje dhe procesi zgjedhor do të mbahet në fund të verës ose në fillim të vjeshtës.
“Zgjedhjet duhen mbajtur kur të shtjerrën rregullat kushtetuese, që i bie në fund të verës dhe fillim të vjeshtës. Ky insistim për zgjedhje është dëshmi se sa janë të paepur për pushtet dhe sa janë të painteresuar për ta ndryshuar politikëbërjen kleptokratike”, ka theksuar ai.
Pavarësisht prej insistimit për zgjedhje të parakohshme, Beqaj ka thënë se asnjë prej subjekteve politike nuk janë të përgatitura për proces zgjedhor.
“Paradoksalisht të gjithë janë për zgjedhje, ndonëse asnjë parti nuk është e përgatitur si dhe sa duhet për zgjedhje. Është koha fundit që ato të reflektojnë seriozisht duke pasur një vizion të shëndoshë politik, e jo vetëm pushtetin. Zgjedhjet e deritanishme kanë lëshuar nga sita me shumë ‘egjër sesa grurë’ në pushtetbërje! Kjo gjendje duhet ndryshuar, përndryshe ç’kuptim kanë zgjedhjet kur aktorët e njëjtë të qasjes së njëjtë politike vijnë sërish në pushtet, pavarësisht çfarë roli mund të luajë Vetëvendosja në këtë konstelacion. Qytetarët janë për qeverisje të mirë, jo për t’i mbështetur ata që e kanë sjellë Kosovën në udhëkryq”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme do t’i përngjajë konfiguracionit aktual politik. “Nëse mbahen zgjedhjet pa u kryer reforma zgjedhore, obligimet e dala nga procesi i dialogut dhe Kushtetuta, rezultati i zgjedhjeve do t’i përngjajë konfiguracionit aktual politik, por gjendja e përgjithshme në Kosovë do të jetë pa shpresë”, ka theksuar ai.
“Epoka e re”: Z. Beqaj, si e komentoni dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinajt pas marrjes së ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit?
Beqaj: Kosova është në udhëkryq. Qeveria ishte në udhëkryq, kryeministri ka pasur dy rrugë: të vazhdojë si aventurier drejt greminës apo të manovrojë me shpresë se do t’i shpëtojë greminës. Gjykata Speciale ndërkombëtare do të humbë kredibilitetin nëse edhe për të tretën herë Ramush Haradinaj lirohet nga Haga po u ngritur aktakuza. Ndërsa do të humbë kuptimin nëse ngritët aktakuza më shumë në saje të argumenteve politike sesa juridike.
“Epoka e re”: Pas këtyre zhvillimeve vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo do të gjendet një formulë për të vazhduar tutje?
Beqaj: Paradoksalisht të gjithë janë për zgjedhje, ndonëse asnjë parti nuk është e përgatitur si dhe sa duhet për zgjedhje. Është koha e fundit që ato të reflektojnë seriozisht duke pasur një vizion të shëndoshë politik, e jo vetëm pushtetin. Personalisht mendoj se pas gati njëzet vjetëve duhet bërë rotacion të pushtetit. Duke krijuar një qeveri kalimtare e cila do të bënte reforma zgjedhore, ndryshimin e Kushtetutës, mund t’i kryente edhe obligimet e papërmbushura nga procesi i dialogut me Serbinë. Ndërkohë Gjykata Speciale ndërkombëtare do ta qartësonte pozitën juridike të personave që po i fton, ndërsa qytetarët do ta kishin më të qartë situatën se për kë dhe pse duhet votuar. Zgjedhjet e deritanishme kanë lëshuar nga sita me shumë ‘egjër sesa grurë’ në pushtetbërje! Kjo gjendje duhet ndryshuar, përndryshe ç’kuptim kanë zgjedhjet kur aktorët e njëjtë të qasjes së njëjtë politike vijnë sërish në pushtet, pavarësisht se çfarë roli mund të luajë Vetëvendosja në këtë konstelacion. Qytetarët janë për qeverisje të mirë e jo për të mbështetur ata që e kanë sjellë Kosovën në udhëkryq.
“Epoka e re”: Partitë kryesore në vend janë shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Në rast se do të ketë zgjedhje, kur mendoni se duhet të mbahen ato?
Beqaj: Zgjedhjet duhen mbajtur kur të shtjerrën rregullat kushtetuese, që i bie në fund të verës dhe fillim të vjeshtës. Ky insistim për zgjedhje është dëshmi se sa janë të paepur për pushtet dhe sa janë të painteresuar për ta ndryshuar politikbërjen kleptokratike.
“Epoka e re”: Vetëvendosja i ka bërë thirrje presidentit të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Mendoni se mund të zvarritet ky proces?
Beqaj: Vetëvendosja, sikur edhe partitë e tjera, për shkaqe të tjera nuk është e përgatitur për zgjedhje. Prej kryetarit të Vetëvendosjes kam pritur zgjuarsi për konsolidim të mëtejmë organizativ, kadrovik dhe vizion të qartë pushtetbërës e jo të sprintojë pas partive kleptokratike të cilat e kanë degraduar Kosovën. Vetëvendosje është më mirë të vendosë standarde se të jetë pjesë e pushtetit kleptokratik.
“Epoka e re”: Si e shihni mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe a prisni ndryshime pas këtij procesi zgjedhor?
Beqaj: Nëse mbahen zgjedhjet pa u kryer reforma zgjedhore, obligimet e dala nga procesi i dialogut dhe Kushtetuta, rezultati i zgjedhjeve do t’i përngjajë konfiguracionit aktual politik, por gjendja e përgjithshme në Kosovë do të jetë e pashpresë.
Shqipe HETEMI