Zgjedhjet e 6 tetorit treguan se reforma zgjedhore është e domosdoshme
Ish-anëtari i KQZ-së, aktualisht anëtar i Kryesisë së LDK-së, Florian Dushi, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit kanë dëshmuar se reforma zgjedhore është e domosdoshme për ta ruajtur sistemin demokratik dhe parlamentar në Kosovë.
Ai ka deklaruar se kjo reformë duhet të jetë prioritet i qeverisë së re.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Dushi ka deklaruar se reforma duhet t’i përfshijë elementet të cilat do ta ruanin të pacenuar integritetin e zgjedhjeve që është cenuar së fundmi.
Kurse sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme për votat e ardhura me vonesë nga diaspora, ka thënë se është i diskutueshëm sepse, sipas Dushit, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është shumë i qartë në këtë drejtim.
Ndërsa për votat e dyshimta që kanë ardhur në zarfe nga Serbia, ai ka thënë se KQZ-ja duhet të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore të përcaktuara në ligj.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)