Zgjedhjet e 9 shkurtit pa një klasë politike serioze
Shkruan: Astrit Gashi
Në secilin shtet të Evropës është e ndaluar ligjërisht të organizohen tubime politike nga subjekte të huaja. Shtetet përkatëse kanë bazë ligjore për të arrestuar organizatorët dhe për t’ua ndaluar aktivitetin politikanëve të huaj. Kjo është e njëjtë sikur të organizoheshin tubime politike në Shkup apo në Tiranë nga subjekte të jashtme. Respektimi i sovranitetit dhe i rregullave ligjore të çdo vendi është një standard ndërkombëtar që garanton stabilitetin dhe pavarësinë politike.
Diaspora duhet të ketë mundësi të regjistrohet dhe të votojë me postë ose duke ardhur fizikisht në vendin e origjinës. Këto janë forma të pranueshme dhe praktike të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor. Çdo mënyrë tjetër e organizimit të zgjedhjeve për diasporën, që nuk respekton standardet ligjore dhe kushtetuese, mund të konsiderohet si shkelje e procedurave demokratike.
Parlamenti i tashëm është ndër më të dobëtit, duke dështuar të adresojë nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve. Ndërkohë, listat që po dalin për zgjedhjet e ardhshme duken edhe më të paqarta dhe joserioze. Këto lista, në vend që të frymëzojnë besim dhe shpresë për ndryshim, po thellojnë zhgënjimin e qytetarëve. Partitë politike, me kandidatë të diskutueshëm dhe platforma të paqarta, po dëmtojnë imazhin e institucioneve dhe po kontestojnë në mënyrë indirekte edhe shtetësinë e Kosovës.
Ky lloj papërgjegjshmërie duhet të ndalet, pasi cenon rëndësinë e zgjedhjeve dhe vetë themelet e demokracisë. Qytetarët nuk shohin alternativa për një përfaqësim më të mirë dhe ndihen të zhgënjyer nga mungesa e vizionit dhe integritetit tek kandidatët. Situata aktuale krijon përshtypjen se “askush nuk ka një zgjidhje të vërtetë”, dhe kandidatët e rinj duket se konkurrojnë jo për të sjellë ndryshim, por për të përfituar nga sistemi ekzistues.
Pyetjet kyçe mbeten të hapura:
Si mund të ndalet korrupsioni?
Çfarë reformash konkrete janë të nevojshme për të forcuar shtetin e së drejtës dhe institucionet?
Si mund të krijohen mekanizma që garantojnë transparencën dhe zhvillimin ekonomik?
Si mund të ndalet migrimi masiv, mbeten pa zgjedhje.
Në vend që të adresohen këto sfida, shumë nga politikanët ofrojnë vetëm premtime boshe, duke krijuar përshtypjen se qëllimi kryesor i tyre është përfitimi personal. Shpesh, fushatat elektorale tingëllojnë si një ndërrim rolesh: “Ata vodhën mjaft; tani është radha jonë.” Kjo retorikë jo vetëm që nxit mosbesim dhe apati te qytetarët, por gjithashtu minon themelet e një demokracie të qëndrueshme.
Zgjidhja qëndron në reforma strukturore:
Forcimi i institucioneve të pavarura, si drejtësia dhe organet antikorrupsion, për të ndjekur çdo abuzim me pushtetin.
Promovimi i transparencës, përfshirë publikimin e pasurive të zyrtarëve dhe kontrollet e rrepta mbi financimin e partive politike.
Përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, përmes mekanizmave që fuqizojnë shoqërinë civile dhe rrisin llogaridhënien e politikanëve.
Nxitja e një sistemi meritokratik, për të siguruar që pozitat e rëndësishme të mbushen me individë të kualifikuar dhe jo përmes nepotizmit.
Prandaj zgjedhjet e 9 Shkurtit nuk do ndryshojnë asgjë sepse me këto lista korrupsioni dhe keq qeverisja të vazhdojë, duke thelluar zhgënjimin e qytetarëve dhe duke rrezikuar të ardhmen e Kosovës sonë të dashur që po e vret politika e nëntokës!