ZGJEDHJET E 9 SHKURTIT: PËR IDIOKRACI DHE KAKISTROKRACI, APO DEMOKRACI

11 shkurt 2025 | 14:17

Nga Prof. Dr. Jeton Kelmendi
Më 9 shkurt 2025, qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Këto zgjedhje u panë si një test për qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila kishte ardhur në pushtet me shumicë të gjerë në vitin 2021, si dhe për opozitën që kërkonte të rikthehej në pushtet. Megjithëse procesi zgjedhor u zhvillua pa incidente të mëdha, rezultatet dhe mënyra sesi qytetarët votuan nxjerrin në pah disa sfida serioze për sistemin politik dhe demokracinë në vend. Në njërën anë Kreu i partisë në pushtet me një ofensivë sharjesh e fyerjesh kundër secilit që nuk është me të, ndërsa partitë opozitare nga ana tjetër duke mos u marrë sa duhet me partinë në pushtet dhe as me skandalet e korrupsionit dhe abuzimeve të pushtetarëve. Sigurisht se e papritur që një shoqëri e dalur nga lufta dhe me një demokraci në zhvilli, me një situate ekonomike në hall, për katër vite të qeverisjes shumë të keqe dhe shto faktin se shtetin e ri të mbështetur nga Bashkimi Evropian, nën masa ndëshkimore, me raporte në nivel shumë të ultë me ShBA-të, del fituese serish partia që ia bëri këto Republikës. Partitë opozitare me programe, ndërsa partia në pushtet pa program qeverisës dhe del ky rezultat zgjedhor, kjo ka vetëm një shpjegim. Kemi parë qeverisja që në sociologji njihen si; Idiokraci dhe Kakistokraci.
Për të kuptuar më mirë se si duhet analizuar qeverisja e kaluar katërvjeçare dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit, duhet të shpjegojmë këto dy koncepte kyçe: idiokracia dhe kakistokracia.
Idiokracia i referohet një sistemi qeverisës ku individë të paaftë, të paditur ose të pakualifikuar marrin vendime të rëndësishme politike. Një qeveri idiokratike mund të rezultojë nga një sistem ku populli zgjedh liderë bazuar në populizëm dhe jo në kompetencë. Kjo shpesh çon në vendimmarrje të dobët, politika jorealiste dhe krizë qeverisëse.
Kakistokracia, nga ana tjetër, është një qeverisje e dominuar nga individët më të paaftë, më të korruptuar ose më të papërgjegjshëm. Ndryshe nga idiokracia, e cila mund të jetë thjesht rezultat i padijes dhe mungesës së aftësisë, kakistokracia është më e rrezikshme sepse është e qëllimshme: liderët jo vetëm që janë të paaftë, por shpesh edhe abuzojnë me pushtetin për përfitime personale.
Tani, si është e vërteta me qeverisjen e LVV-së. Argumentet flasin se kemi të bëjmë me këto dy fenomene, ku një pjesë e konsideruashme të ministrave hyjnë te kategoria e pare, pra ata dhe ato janë thjeshtë të papaftë: shih Ministri i Brendshë, Ajo e Ekonomisë, e Punëve të Jashtme etj. Nga ana tjetër, duke filluar nga Kryeministri, Ministri i Bujqësisë, ajo e Tregtisë, ai i Kulturës etj, këta edhe janë të papaftë, por edhe të korruptuar. Besoj janë mjaftë fakte publike që e dëshmojnë këtë. Ajo që jam i sigurt është se të dyja janë me pasoja për shoqërinë, por kjo e fundit del të jetë shumë e keqe.
Qeverisja e LVV-së: Një Rast i Idiokracisë dhe Kakistokracisë?
Kur Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet në vitin 2021, ajo premtoi reformë të thellë institucionale, luftë kundër korrupsionit dhe zhvillim ekonomik, (ngec ekonomia dhe u zhvillua edhe më tej korrupsioni). Megjithatë, qeverisja e saj u karakterizua nga disa vendime të diskutueshme që ngritën pyetje nëse vendi po drejtohej drejt idiokracisë ose kakistokracisë.
Një nga kritikat më të mëdha ndaj LVV-së është fakti se shumë nga vendimet e saj u morën në mënyrë të njëanshme, pa konsultime të gjera dhe pa një analizë të thellë të pasojave të tyre. Një shembull është përplasja e vazhdueshme me komunitetin serb në veri të Kosovës. Vendimi për të zbatuar masat e reciprocitetit me Serbinë, pa një strategji të qartë për menaxhimin e pasojave, shkaktoi tensione të mëdha dhe përfundoi me ndërhyrje të NATO-s për të qetësuar situatën.
Një tjetër shembull është mënyra sesi qeveria ka menaxhuar çështjet ekonomike. Ndërkohë që LVV premtoi një rritje të mirëqenies ekonomike, realiteti është se gjatë qeverisjes së saj inflacioni u rrit ndjeshëm, papunësia mbeti e lartë dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta ranë. Këto probleme mund të tregojnë mungesë të aftësive teknike dhe politike për të menaxhuar ekonominë, një karakteristikë e idiokracisë. Nga ana tjetër, elemente të kakistokracisë janë vënë re në mënyrën sesi janë emëruar individët në poste kyçe qeveritare dhe publike. Në vend që të zgjidheshin individët më të aftë për pozitat ministrore dhe drejtuese, qeveria shpesh ka preferuar emërimet bazuar në lojalitet partiak. Kjo ka sjellë një dobësim të institucioneve dhe ka rritur dyshimet për ndikime nepotike në administratën publike.
Opozita: Një Sistem Demokratik me Mbështetje të Kufizuar, pse?
Nga ana tjetër, partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë paraqitur alternativa më të balancuara për qeverisjen. Platformat e tyre kanë përfshirë rritjen e investimeve të huaja, përmirësimin e sistemit arsimor dhe forcimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se këto parti ende nuk kanë arritur të rikuperojnë besimin e qytetarëve në masën e duhur. E pyetje shtrohet pse?
Një nga arsyet pse qytetarët nuk i mbështesin në mënyrë masive partitë opozitare është trashëgimia e së kaluarës. PDK dhe LDK kanë qenë në pushtet për periudha të gjata dhe janë akuzuar për korrupsion dhe keqmenaxhim të shtetit. Dorën në zemër edhe ka diçka të vërtetë këtu. Duke u bazuar nga reformat e tyre jo të mjaftueshme, e bën të vështirë për to që të bindin qytetarët se kanë ndryshuar dhe se tani mund të ofrojnë një qeverisje më të mirë. Nga ana tjetër për njëzet vjet Albin Kurti dhe shërbimet e caktuara e kanë helmuar popullin me propogandë ,aq shumë sa duhet kohë më e gjatë për ta pastruar gjithë at helm. Në fakt edhe sot e tërë kohë vazhdon avazi i kësaj propogande, por pyetja del se pse qytetarët I besojnë kaq shumë dogmave.
Një nga aspektet më të çuditshme të zgjedhjeve në Kosovë është fakti se qytetarët shpesh i kushtojnë më shumë rëndësi retorikës politike sesa programeve konkrete. Sipas mendimit tim ky fenomen mund të shpjegohet me disa faktorë:
1. Polarizimi Politik: Ndarjet e thella politike midis LVV-së dhe opozitës kanë krijuar një kulturë politike ku zgjedhësit nuk i kushtojnë vëmendje politikave konkrete, por mbështesin njërën anë bazuar në emocione dhe besnikëri.
2. Dominimi i Sharjeve dhe Akuzave: Në fushatat elektorale në Kosovë, debati politik dominohet nga akuza dhe kundërakuza, në vend të propozimeve të detajuara për politikat publike. Kjo bën që qytetarët të fokusohen më shumë tek “lufta politike” sesa tek ofertat programore.
3. Mungesa e Kulturës Politike Analitike: Në Kosovë, diskursi politik rrallëherë përqendrohet në analizën e thelluar të programeve dhe ndikimit të tyre afatgjatë. Në vend të kësaj, politika shpesh perceptohet si një betejë midis individëve dhe jo si një sistem që kërkon menaxhim të efektshëm.
Zgjedhjet e 9 shkurtit reflektojnë një krizë të besimit në sistemin politik të Kosovës. Mendoj se duhet ndryshuar komplet sistemin zgjedhor. Qeveria e kaluar ka demonstruar elemente të idiokracisë dhe kakistokracisë, ndërsa opozita ka tentuar të promovojë një sistem më demokratik, por pa sukses të madh. Ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të zgjedhin bazuar më shumë në emocione dhe retorikë sesa në analiza të thelluara, demokracia e Kosovës mbetet e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve të qeverisjeve të dobëta. Për të dalë nga ky cikël, është e domosdoshme që klasa politike të punojë për të rritur transparencën, profesionalizmin dhe besimin në institucione. Të hetohen të gjitha abuzimet dhe deformimet që janë bërë nga secili. Vetëm në këtë mënyrë, Kosova mund të kalojë nga një demokraci e deformuar drejt një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Latifi, ka…