Zgjedhjet e 9 shkurtit, regjistrohen 5 571 persona për të votuar jashtë Kosovës
Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dh Kontrollin Financiar të subjekteve Politike në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë me dije se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor.
Sipas tij, në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024 janë pranuar 744 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit (574 përmes platformës elektronike dhe 170 në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve) prej të cilave janë aprovuar 725 kërkesa, ndërsa 19 të tjera janë refuzuar, raporton “EO”.
Po ashtu, Buzhala ka bërë me dije se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024, përmes platformës elektronike janë pranuar 6 069 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 5 571, ndërsa 498 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.