Zgjedhjet e brendshme po e bashkojnë dhe fuqizojnë PDK-në
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për çështje organizative, Bajrush Xhemajli, ka lavdëruar procesin e brendshme zgjedhor nëpër të cilin po kalon kjo parti. Ai është shprehur i bindur se ky proces PDK-në do ta konsolidojë dhe do ta nxjerrë më të fuqishme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se gara në këto zgjedhje po ndodh përmes një procesi konkurrues dhe pa hatërmbetje.
“Synimi ynë si parti është që të dalim shumë më të fuqishme nga ky proces zgjedhor. Në bazë të asaj që kam parë në terren, besoj shumë se do të dalim shumë më të fortë nga ky proces. Do të dalim më të fortë sepse në gjithë këtë proces konkurrues nëpër nëndegë deri më tani nuk ka pasur hatrime apo ndonjë përçarje. Pra, ky proces vetëm po na forcon dhe po na bashkon”, ka thënë Xhemajli, i cili është edhe nënkryetar i komisionit për procesin zgjedhor në PDK.
Ai ka thënë se në këtë proces po ndodh edhe një trend i kthimit në PDK të atyre që më herët e kishin braktisur këtë subjekt politik. Sipas Xhemajlit, nuk mungojnë as ardhjet prej partive të tjera.
“Besoj se tani është njëfarë trendi i kthimit të atyre që më herët e kanë lënë PDK-në për t’iu bashkuar partive të tjera. Për shembull, në Ferizaj më herët është kthyer Xhabir Morina, në Lipjan tani është kthyer doktori Fitim Selimi me shumë aktivistë të tjerë. Pra, në PDK nuk po kthehen vetëm individë, por edhe shtresa të rëndësishme të shoqërisë. Pastaj në Shtime disa aktivistë të Vetëvendosjes e kanë braktisur këtë parti dhe i janë bashkuar PDK-së”, është shprehur ai.
Xhemajli ka deklaruar se çdo ditë po dëshmohet se PDK-ja është adresa më e fuqishme politike në vend për qytetarët. “PDK-ja, ashtu siç ka dëshmuar edhe në të kaluarën, po dëshmon edhe tani se është adresa më e sigurt politike për qytetarët e Kosovës. Platforma politike ‘Dekada e Re’, e ideuar nga kryetari Kadri Veseli, do ta fuqizojë dhe zhvillojë Republikën e Kosovës në rrugën e sigurt drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë Xhemajli
“Epoka e re”: Z. Xhemajli, PDK-ja tashmë ka filluar edhe zgjedhjen e kryetarëve të degëve. Si po shkon ky proces zgjedhor?
Xhemajli: Procesin e brendshëm zgjedhor PDK-ja e ka filluar para dy muajve. Fillimisht kemi pasur një fazë përgatitore në të cilën është dashur të kryhen disa detyra paraprakisht, në mënyrë që zgjedhjet të bëhen ashtu siç duhet. Synimi ynë në këto zgjedhje është të ofrojmë edhe njerëz të ri, të cilët ia ngrehin vlerën PDK-së. Pra, kemi dashur që në strukturat e partisë të zgjedhën njerëzit më të mirë që ka tani PDK-ja dhe personalitetet e reja, të cilat do të jenë vlerë e shtuar e partisë. Deri më tani ky proces ka shkuar ashtu siç është dashur. Ka qenë një proces fer, demokratik dhe korrekt.
“Epoka e re”: Kush po iu bashkëngjitet strukturave të PDK-së në këtë proces?
Xhemajli: Deri më tani në këtë proces zgjedhor shumë të rinj dhe të reja u janë bashkangjitur strukturave të PDK-së. Por, ka raste që kanë ardhur në PDK edhe njerëz nga partitë e tjera, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja. Përveç këtyre, na janë bashkuar edhe kuadrot e tjera profesionale si nga universitetet tona që kanë shprehur dëshirën e tyre ta japin kontributin në këtë parti. E rëndësishme të përmendi është se në këtë proces po na kthehen shumë aktivistë të PDK-së të cilët më parë kishin shkuar te partitë e tjera. Kthimi i tyre është një shenjë shumë e mirë për PDK-në. Deri më tani ne jemi të kënaqur me këtë proces, sepse çdo gjë ka shkuar sipas rregullores që kemi aprovuar në Këshillin Drejtues të PDK-së. Tani kemi filluar procesin e zgjedhjes së kryetarëve të degëve, ku në Degën e Kaçanikut është rikonfirmuar kryetar Besim Ilazi, i cili ka pasur një kundërkandidat. Procesi ka qenë një garë demokratike për t’u marrë lakmi. Vetëm në 24 nëndegët tona në Kaçanik janë angazhuar në struktura të PDK-së rreth 2 000 aktivistë. Besoj se i njëjti entuziazëm është edhe në degët e tjera në gjithë Kosovën.
“Epoka e re”: Keni ndonjë statistikë se sa është numri i atyre që për herë të parë po i bashkohen PDK-së?
Xhemajli: Nuk kam ndonjë statistikë të saktë, por është një numër i kënaqshëm i këtyre të rinjve dhe të rejave që për herë të parë po i bashkohen PDK-së.
“Epoka e re”: Kthimi i atyre që kanë qenë në PDK po ndodh vetëm në ndonjë degë apo në shumë degë?
Xhemajli: Besoj se tani është njëfarë trendi i kthimit të atyre që më herët e kanë lënë PDK-në për t’iu bashkuar partive të tjera. Për shembull, në Ferizaj më herët është kthyer Xhabir Morina, në Lipjan tani është kthyer doktori Fitim Selimi me shumë aktivistë të tjerë. Pra, në PDK nuk po kthehen vetëm individë, por shtresa të rëndësishme të shoqërisë. Pastaj në Shtime disa aktivistë të Vetëvendosjes e kanë braktisur këtë parti dhe i janë bashkuar PDK-së. Tani po ndodh një trend që PDK-së po i bashkohen ata aktivistë dhe struktura që më herët e kishin braktisur.
“Epoka e re”: Sa do ta konsolidojë PDK-në ky proces zgjedhor?
Xhemajli: Synimi ynë si parti është që të dalim shumë më të fuqishëm nga ky proces zgjedhor. Në bazë të asaj që kam parë në terren, besoj shumë se do të dalim shumë më të fortë nga ky proces. Do të dalim më të fortë sepse në gjithë këtë proces konkurrues nëpër nëndegë deri më tani nuk ka pasur hatrime apo ndonjë përçarje. Pra, ky proces vetëm po na forcon dhe po na bashkon. Kjo natyrisht se do të bëjë që PDK-ja edhe më tutje ta mbajë trendin e drejtimit të institucioneve të Kosovës.
“Epoka e re”: Besoni se zgjedhjet e brendshme do ta rikthejnë PDK-në si parti të parë në vend?
Xhemajli: Unë besoj se PDK-ja edhe tani është partia më e madhe në vend. Qytetarët deri më tani i kanë besuar kësaj partie si subjekti i parë. PDK-ja, ashtu siç ka dëshmuar edhe në të kaluarën, po dëshmon edhe tani se është adresa më e sigurt politike e qytetarëve të Kosovës. Platforma politike ‘Dekada e Re’, e ideuar nga kryetari Kadri Veseli, do ta fuqizojë dhe zhvillojë Republikën e Kosovës në rrugën e sigurt drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Epoka e re”: Megjithatë, sondazhi i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje PDK-në e ka nxjerrë subjektin e tretë politik në vend.
Xhemajli: Dihet që në Kosovë sondazhet shpeshherë dinë të jenë të porositura. Nuk po them se ky aktuali ka qenë i porositur, por e dimë të gjithë se më herët në Kosovë kanë bërë sondazhe të tilla dhe më pas verdikti i elektorati të Kosovës ka qenë ndryshe nga ai që është prezantuar. Unë nuk di se çka kanë bërë për qytetarët e Kosovës këto dy subjekte politike që, sipas këtij sondazhi, qenkan parti të para. Nuk besoj se këto dy subjekte kanë bërë diçka për qytetarin e Kosovës që ai ta ndërrojë mendjen tash.
“Epoka e re”: Keni pretendime për t’i hyrë garës për kryetar të degës në Ferizaj?
Xhemajli: Jo. Dihet që PDK-ja është kthyer fuqishëm në Komunën e Ferizajt dhe nuk kam ndonjë pretendim të tillë, ani pse kam pasur oferta. Ndërsa për Kryesi Qendrore të PDK-së sigurisht se do të garoj, edhe pse është herët të flitet për këtë çështje.
“Epoka e re”: Kur pritet të përmbyllet ky proces zgjedhor?
Xhemajli: Nuk e kemi ndërmend të ngutemi në këtë drejtim. Ne duam të bëjmë zgjedhje të mira dhe kualitative. Besoj se në mars do të mund ta mbajmë konventën e partisë.
“Epoka e re”: Ende askush nuk ka shprehur gatishmëri për ta sfiduar z. Veselin për postin e të parit të PDK-së. A pritni që Veseli të ketë kundërkandidat?
Xhemajli: Besoj se është herët të flitet për këtë çështje, por natyrisht se secili zyrtar i kësaj partie ka të drejtë të sprovohet në këtë drejtim. Deri më tani askush nuk e ka shprehur këtë ambicie, por ndoshta kur të vijë koha dikush do të paraqitet.
“Epoka e re”: Ju jeni një nga themeluesit e PDK-së dhe sigurisht se i keni përcjell edhe proceset e tjera të brendshme zgjedhore në PDK. Çfarë e dallon këtë proces zgjedhore prej atyre të mëparshmëve?
Xhemajli: Nga fillimi çdoherë kam qenë në strukturat e larta të PDK-së. Me përgjegjësi e them se ky është procesi zgjedhor më demokratik që është mbajtur deri më tani. Çdo gjë prej fillimi deri më tani është bërë mbi bazën e dokumenteve që i kemi aprovuar në Këshillin Drejtues të PDK-së. Prandaj po them se këto zgjedhje jo që janë më të mirat që ka mbajtur ndonjëherë PDK-ja, por ky proces është shembull edhe për partitë e tjera në Kosovë se si duhet t’i bëjnë zgjedhjet e brendshme. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse e di goxha mirë se si partitë e tjera i mbajnë zgjedhjet e brendshme.
“Epoka e re”: Kohët e fundit është fituar përshtypja se vendin në zgjedhje mund ta çojë vetëm PDK-ja. Madje ka edhe paralajmërime të opinionistëve se kjo parti mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja sërish në pranverë të këtij viti pasi ta përfundojë këtë proces të brendshëm zgjedhor. Mund të ndodhë kjo?
Xhemajli: Mendoj se Qeveria e Kosovës është duke kryer punë të mëdha. Një nga to ishte formimi i ushtrisë, pastaj vendosja e taksës për mallrat serbe. Tani PDK-ja nuk mendon se duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme së shpejti siç po pretendojnë rivalët tanë politikë. Kjo nuk duhet të ndodhë sepse kemi shumë punë përpara. Mendoj se Kosovës nuk i konvenon që të ketë zgjedhje të reja në një të ardhme të afërt.
“Epoka e re”: Pra, PDK-ja nuk do ta çojë vendin në zgjedhje nëse sheh disponim në strukturat e veta të reja?
Xhemajli: PDK-ja as më herët nuk e ka çuar vendin në zgjedhje të parakohshme për interesa të veta të ngushta. Zgjedhjet kanë ardhur në shprehje vetëm kur kemi pasur ngecje në procesin e vendimmarrjes së Qeverisë. Të gjithë e dimë se Qeveria e kaluar nuk mund të merrte vendime të mëdha për vendin, prandaj zgjedhjet ishin të nevojshme. Konsolidimin tonë në struktura nuk po e bëjmë për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Ne atë po e bëjmë për ta fuqizuar partinë sepse e kemi edhe obligim me statut dhe dokumente të tjera partiake.
Muhamet KOCI