Zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë askujt
Asnjërës prej subjekteve politike nuk i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme. Kështu kanë vlerësuar njohësit e rrethanave politike, sipas të cilëve, zgjedhjet në këtë kohë do ta ngadalësonin, veç tjerash edhe liberalizimin e vizave.
Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i sheh pikërisht këto tryeza, si mënyrë që mos të flitet shumë për punën e zgjedhjeve të parakohshme.
“Dorën në zemër, nuk është se ka një klimë të përshtatshme për asnjë subjekt politik për të shkuar në zgjedhje. Edhe LDK-ja që ishte sadopak më agresive në këtë aspekt, si duket tash ka ndryshuar edhe narracionin dhe po flet për një gjetje të konsensusit gjithëpërfshirës me subjektet e tjera politike për çështjet më madhore, para se të flitet për zgjedhje”, ka thënë Murati për “Radio Kosovën”.
Ndërsa, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, ka thënë se nuk është momenti që partitë të flasin për zgjedhje, pasi vendi është para përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave.
Sipas tij, nëse shkohet tash në zgjedhje, mund të vonohet procesi i liberalizimit të vizave, ngase BE-ja nuk lëvizë përpara, derisa nuk ka stabilitet politik në vend.
“Tash për tash nuk besoj që asnjë parti politike duhet të diskutojë dhe të flasë për zgjedhje. Të paktën derisa të kemi një epilog sa i përket liberalizimit të vizave. Pastaj tutje, varësisht prej vullnetit të partive politike, nëse ka një shumicë të konsoliduar të Kuvendit që është dakord për të shkuar në zgjedhje, mund të iniciojë mocion ndaj Qeverisë”, ka thënë Demhasaj për “Radio Kosovën”.
Pavarësisht kësaj, sipas radhës, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur për të premten, tryezën e partive, të tretën me radhë të titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”. Qëllimi i saj është arritja e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.