Zgjedhjet e parakohshme të domosdoshme, s’kemi shtiza për opozitën
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se takimi i kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi me kryeministrin Albin Kurti ka pasur përkrahjen e të gjithë partisë.
Ajo gjithashtu ka mohuar zërat se ka marrëveshje mes PDK-së dhe VV-së për koalicion paszgjedhor.
Ajo tha se para takimit është mbajtur mbledhja e kryesisë ku Krasniqi ka marrë mbështetjen unanime.
Çitaku tha se para takimit me Kurtin, PDK është takuar edhe me dy liderët e tjerë opozitarë: Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.
“Në rast se ne po kërkojmë zgjedhje, në rast se të gjithë po pajtohemi se Kosova nuk është në drejtimin e duhur, që shoqëria në Kosovë është më e polarizuar se asnjëherë më parë, që raportet tona me aleatët janë më të cenuara se asnjëherë më parë, përgjigja ndaj situatës për PDK janë zgjedhjet e reja. Nuk ka asnjë lloj konspiracioni, prapavije, dakordësie paraprake. Thjesht ne i jemi përgjigjur sfidës.”, tha Çitaku, shkruan gazeta online Reporteri.
Ajo tha se kryeministri u ka bërë ftesë të gjitha partive, pastaj partitë marrin qëndrimet e tyre. Çitaku tha se ka pasur raste kur janë ftuar dhe PDK nuk ka shkuar por kanë shkuar partitë e tjera.
“Secili i merr qëndrimet e veta politike dhe e bartë përgjegjësinë për to. Në secilëndo situatë dhe pavarësisht zhurmës që kemi dëgjuar unë dua ta sqaroj kërkesa jonë është një, e vetme dhe konsistente: zgjedhje të parakohshme sa më parë. Nuk janë pak tetë muaj qeverisje, në tetë muaj shumë gjëra mund të ndodhin dhe ne e kemi në dorë si opozitë të unifikohemi dhe të shkojmë në zgjedhje. Nuk kemi shtiza për kolegët tonë në opozitë.”, tha ajo.
Sipas saj nuk ka asnjë marrëveshje ndërmjet PDK-së dhe kryeministrit Kurti. Ajo foli edhe për kritikat nga partitë opozitare pas takimit.
“Ata kanë vlerësuar që nuk është koha të takohen dhe të shkohet në zgjedhje me insistimin e dorëheqjes së Kurtit. Edhe në do të donim të kishim shumicën, ne e kemi vetëm një opsion shpërndarjen e parlamentit.”, tha ajo.
Çitaku tha se shpreson se pjesa tjetër e opozitës ta kuptojnë që është koha për zgjedhje.
“Në politikë operohet me fakte e jo më dëshira”, u shpreh Çitaku.
Ajo ka insistuar se PDK-ja është në garë për t’i fituar zgjedhjet.
“Kemi një kandidat serioz, kemi një njeri që ka përvojë të madhe”, ka thënë Çitaku.