Zgjedhjet e reja janë interes shtetëror
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, e sheh urgjente mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ai ka bërë me dije se zgjedhjet e parakohshme nuk janë më vetëm kërkesë e opozitës, por edhe interes shtetëror i Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Zemaj ka thënë se këto institucione e kanë humbur legjitimitetin popullor për ta drejtuar vendin. “Tanimë ekziston arsye e plotë se këto institucione kanë humbur edhe atë legjitimitet të paktë që e kanë pasur. Dhe nevoja për të shkuar në zgjedhje të reja nuk është vetëm kërkesë e jona, por edhe interes shtetëror”, ka thënë Zemaj. Ai ka treguar se pikërisht për shkak të mungesës së legjitimitetit të këtyre institucioneve, LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e procesit të dialogut me Serbinë. Sipas tij, vetëm pas zgjedhjeve të reja mund të flitet për fazën finale të dialogut Kosovë -Serbi. “Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa stabilitet institucional. Ne si LDK kërkojmë legjitimitet të ri i cili garanton konsensus, njëherësh raport korrekt me partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj për liri dhe pavarësi. Ne së pari kërkojmë të kemi konfirmim të mbështetjes popullore dhe të marrim diçka e cila nuk krijon besim ashtu siç po pretendon Qeveria aktuale me disa lloj të grupeve, individë dhe ikje nga përgjegjësia ligjore që kanë”, është shprehur Zemaj.
Deputeti i LDK-së ka folur edhe për rrugën që do ta ndjekë opozita për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Zemaj ka bërë me dije se për këtë qëllim opozita synon ta ketë edhe përkrahjen e disa deputetëve të pozitës. “Vetëm me forma demokratike, të koordinuar dhe me grupet e tjera opozitare dhe duke zgjeruar angazhimin që të bindim edhe deputetë të tjerë të cilët do të dalin nga interesi i ngushtë politik dhe ta krijojnë mundësinë e përqafimit të një vendimi i cili mendojmë se është në interes të përgjithshëm të Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.
“Epoka e re”: Z. Zemaj, LDK-ja nuk ka marrë pjesë në seancën e së hënës. Pse?
Zemaj: E kemi deklaruar edhe në Kryesi të Kuvendit, se nuk do të marrim pjesë në vazhdimin e kësaj seance. Për këtë kemi treguar edhe arsyet. E para është bllokimi i rezolutës së opozitës e cila e kishte në theks të veçantë mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Kjo rezolutë njëherësh do të krijonte një mundësi për ridizajnim të dialogut, i cili do të ishte i strukturuar dhe në interes të fuqizimit të subjektivitetit të brendshëm të vendit. Sipas kësaj rezolute, Kosova në plotësi do të dialogonte si shtet unitar dhe jo në shërbim të interesave të pozitës apo të individëve të veshur me pozita udhëheqëse në Kosovë. Ndërsa tanimë ekziston arsye e plotë se këto institucione kanë humbur edhe atë legjitimitet të paktë që e kanë pasur. Dhe nevoja për të shkuar në zgjedhje të reja nuk është vetëm kërkesë e jona, por edhe interes shtetëror.
“Epoka e re”: Keni paralajmëruar se do të merrni pjesë vetëm në seancën që do të votohet transformimi i FSK-së. A do të thotë kjo se LDK-ja ka zgjedhur bojkotonin e Kuvendit dhe tash e tutje do ta braktisë çdo seancë?
Zemaj: Veprimi ynë është politik dhe në interes të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës. LDK-ja ka treguar seriozitet në votimin e ligjeve të cilat integrojnë vendin në strukturat evropiane, për liberalizimin e vizave dhe njëherësh çdo ligj që plotëson kornizën kushtetuese e institucionale të Republikës së Kosovës ku transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës është pjesë programore e jona dhe objektiv strategjik në forcimin e stabilitetit nacional dhe rajonal të vendit tonë. Për seancat e tjera dhe pikat e tjera në çdo rend do të vendosim në koordinim me subjektin, njëherësh edhe me spektrin tjetër opozitar si bashkim kundër kësaj qeverie të keqe.
“Epoka e re”: LDK-ja së fundi ka bërë me dije se në asnjë mënyrë nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë. Pse ky subjekt politik nuk po merr përgjegjësinë që i takon në këtë proces?
Zemaj: Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa stabilitet institucional. Ne si LDK kërkojmë legjitimitet të ri i cili garanton konsensus, njëherësh raport korrekt me partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj për liri dhe pavarësi. Ne së pari kërkojmë të kemi konfirmim të mbështetjes popullore dhe të marrim diçka e cila nuk krijon besim ashtu siç po pretendon Qeveria aktuale me disa lloj grupe, individë dhe ikje nga përgjegjësia ligjore që kanë.
“Epoka e re”: Vazhdimisht po pretendoni se do ta rrëzoni Qeverinë dhe do ta çoni vendin në zgjedhje të reja. Si do ta bëni këtë. Pozita thotë se nuk i keni numrat?
Zemaj: Vetëm me forma demokratike, të koordinuar edhe me grupet e tjera opozitare dhe duke zgjeruar angazhimin që t’i bindim edhe deputetët e tjerë të cilët do të dalin nga interesi i ngushtë politik dhe të krijojnë mundësinë e përqafimit të një vendimi i cili mendojmë se është në interes të përgjithshëm të Kosovës.
Muhamet KOCI