Zgjedhjet janë gjithmonë një moment reflektimi dhe riorganizimi për çdo parti politike

12 shkurt 2025 | 12:00

Shkruan: Astrit Haraqija

Rezultati i fundit na vendosi para sfidave të reja, por mbi të gjitha para një përgjegjësie të madhe, të forcojmë dhe të bashkojmë strukturat tona, të ruajmë vlerat që na kanë mbajtur bashkë dhe të vijojmë rrugën e trashëguar nga Presidenti Rugova.

Ne si parti duhet ta kemi të qartë se nuk është e lehtë të udhëheqësh një subjekt politik 35-vjeçar, aq më tepër kur kjo barrë i takon një kryetari 42-vjeçar.

Kjo nuk është çështje individësh, por përgjegjësi kolektive.

Prandaj, nuk bëhet nami nëse ulemi dhe analizojmë rezultatin, duke reflektuar me qetësi e mençuri.

Rugovizmi nuk na mëson të kërkojmë koka, por të ruajmë qetësinë dhe të veprojmë me mençuri.

Kryetari mori drejtimin e partisë në një periudhë të vështirë, kur mbështetja në përqindje kishte rënë më shumë se kurrë më parë.

Në vend që të kërkojmë fajtorë, duhet të tregojmë guxim dhe pjekuri politike për të ndërtuar një strategji të re.

Kjo nuk bëhet me përçarje apo me logjikën e eliminimit, por me një analizë të thellë dhe me një frymë bashkëpunimi.

Unë kam 30 vjet që jam pjesë e strukturave të kësaj partie dhe gjithçka që kam pasur, e kam dhënë për të.

Nuk po mbroj askënd, as kryetarin aktual – ndoshta dikur edhe do të më kishte pëlqyer të isha unë në atë pozitë, por nuk e kam pretenduar kurrë. Madje, pas ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova, gjithmonë ua kam ofruar mbështetjen të tjerëve për ta vazhduar rrugën.

Nuk kam pasur asnjë afërsi personale me kryetarin e tanishëm – nuk kam pirë kafe me të, as nuk kam ndejtur me të, por kjo nuk më pengon ta shoh situatën me gjakftohtësi dhe përgjegjësi.

Na ka kushtuar shtrenjtë fakti që herë pas here kemi rënë në kurthin e inateve dhe ndarjeve të brendshme.

E kemi paguar këtë çmim disa zgjedhje radhazi, duke e dobësuar vetveten.

Është e qartë se shumë prej partive që janë krijuar gjatë këtyre viteve nuk kanë pasur tjetër qëllim përveçse të dëmtojnë LDK-në, duke shfrytëzuar naivitetin tonë atëherë dhe sot.

Nuk guxojmë të lejojmë që e njëjta histori të përsëritet.

Unë mbetem i përkushtuar ndaj misionit tim politik, jo për interesa personale, por për të ndihmuar aty ku mund të jem i dobishëm.

As nuk kërkoj përjashtime, as nuk dua përçarje. Rugovizmi nuk është frymë për të “hequr koka”, por për t’i mbledhur të gjithë rreth një vizioni të qartë: për një parti më të fortë, më të organizuar dhe më të afërt me qytetarët.

Është koha për të lënë anash ndasitë dhe për të punuar së bashku.

Fitorja nuk është vetëm një numër mandatesh, por një përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur dhe për të avancuar idealet tona.

Ky duhet të jetë synimi ynë!

Zoti e bekoftë engjëllin e popullit tonë

Presidentin Ibrahim Rugovën

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka…