Zgjedhjet në Bjellorusi, as të lira e as të drejta, BE paralajmëron sanksione
Votat përfundimtare janë ende duke u numëruar dhe rezultati nuk pritet të publikohet deri vonë, por televizioni shtetëror parashikon që Alexander Lukashenko të fitojë me pothuajse 88% të votave.
Ndërsa Bashkimi Evropian ka kërcënuar me sanksione të reja ndaj Bjellorusisë pasi Lukashenko duket i sigurt se do të shënojë fitoren e tij të shtatë radhazi në zgjedhje që nga viti 1994.
“Zgjedhjet e rreme të sotme në Bjellorusi nuk kanë qenë as të lira dhe as të drejta”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas në një deklaratë të përbashkët me komisioneren e zgjerimit, Marta Kos.
“Shtypja e pamëshirshme dhe e paprecedentë e të drejtave të njeriut, kufizimet për pjesëmarrjen politike dhe aksesin në mediat e pavarura në Bjellorusi, e kanë privuar procesin zgjedhor nga çdo legjitimitet”, thuhet në deklaratë.
Bëhet e ditur se ato i kërkuan qeverisë bjelloruse të lirojë të burgosurit politikë, duke përfshirë një punonjës të delegacionit të BE-së në kryeqytetin, Minsk, shkruan euronews
Ndër tjera, Kallas dhe Kos thanë se vendimi për të ftuar vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vetëm 10 ditë më parë e pengoi grupin të monitoronte procesin e plotë zgjedhor.
“Për këto arsye, si dhe përfshirjen e regjimit bjellorus në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet e saj hibride kundër fqinjëve të saj, BE do të vazhdojë të vendosë masa kufizuese dhe të synuara kundër qeverisë bjelloruse”, njoftuan zyrtarët e BE-së.
Por, ata nuk dhanë më shumë detaje se çfarë do të synonte paketa e re eventuale e sanksioneve ose kur do të zbatohej.
Diku tjetër në Evropë, rezultatet e zgjedhjeve, të cilat parashikojnë një përqindje pothuajse 88% të votave për Lukashenkon, u prit me tallje.
“Populli i Bjellorusisë nuk kishte zgjidhje tjetër. Është një ditë e hidhur për të gjithë ata që dëshirojnë lirinë dhe demokracinë”, tha Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock në një postim në X.
Ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski shprehu habinë që “vetëm” 87.6% e elektoratit votuan për Lukashenkon, në një postim të paqartë në X.
“A do të futen pjesa tjetër në burgje?”, pyeti ai.
Ndryshe, fitorja e Lukashenkos në zgjedhjet e vitit 2020 u hodh poshtë gjithashtu si një mashtrim nga Perëndimi dhe rezultati shkaktoi javë protestash të gjera në të gjithë vendin.
Kjo shkaktoi një goditje brutale nga forcat e sigurisë dhe çoi në 65,000 arrestime.
Vlerësohet se ka rreth 1200 të burgosur politikë në sistemin e burgjeve në Bjellorusi dhe rreth 500,000 njerëz u larguan nga vendi pas zgjedhjeve të vitit 2020. /Telegrafi