Zgjedhjet në Dragash, KQZ-ja pranon 262 pako me fletëvotime të supozuara nga diaspora
Të hënën, më 13 dhjetor, pritet të përfundojë përsëritja e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit, i cili ka filluar para 11 ditësh.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri më tani ky institucion ka pranuar më shumë se 260 pako të supozuara me fletëvotime.
“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri më tani, KQZ ka pranuar 262 pako të supozuara me fletëvotime”.
“Duke u mbështetur në ligj, KQZ-ja do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1 090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht”, ka thënë Elezi.
Zgjedhjet për kryetarin e Komunës së Dragashit janë të vetmet që nuk janë përmbyllur akoma, pasi Gjykata Supreme ka vendosur përsëritjen e votimit jashtë Kosovës për votuesit e kësaj komune.
Më herët, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet për kryetarë të 37 komunave dhe rezultatet për 38 kuvende komunale. Shumë nga kuvendet komunale kanë mbajtur seancat inauguruese dhe shumë prej kryetarëve të komunave kanë marrë detyrën.