Zgjedhjet në Mal të Zi, Rama: Votoni listën shqiptare!

27 gusht 2020 | 13:31

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një videomesazhi në llogarinë e vet në “Facebook”, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Malin e Zi, që në zgjedhje e 30 gushtit të votojnë listën shqiptare si dhe të forcojnë bashkëpunimin me presidentin Gjukanoviq dhe forcën e tij politike.

“Unë besoj se zgjedhja juaj është e qartë dhe shpresoj që vota juaj të jetë e bashkuar në të njëjtin drejtim që fuqizon përfaqësimin tuaj në jetën politike të Malit të Zi dhe shkon në harmoni me zgjedhjen e duhur për atë vend që duhet të vazhdojë përpara. Prandaj, ju bëj thirrje të mos e lini për asnjë arsye pa e ushtruar të drejtën e votës suaj dhe ta mbështesni sa më fuqimisht Listën Shqiptare”, ka thënë Rama.

Mesazhi i tij i plotë:

Kjo e diel, 30 gusht, nuk është e zakonshme për vendin ku keni shtëpinë tuaj, ku jetoni, punoni e rrisni fëmijët tuaj! Nuk është një e diel e zakonshme jo sepse do të votoni dhe gjithnjë një ditë votimi s’është si te tjerat, por sepse këtë herë do t’ju duhet të bëni një zgjedhje me një rëndësi të posaçme!

Dhe si asnjëherë tjetër do të zgjidhni më shumë se sa thjesht për një parti: Do të zgjidhni për vetë fatin e shqiptarëve në Malin e Zi! Një Mal i Zi me frymën euroatlantike të botës së cilës ne, shqiptarët në Shqipëri e kudo i përkasim apo një Mal i Zi me frymëmarrje të penguar nga ndikime jashtë botës sonë!

Një Mal i Zi ku pozita juaj fuqizohet brenda kornizës së vlerave e të standardeve perëndimore, të Bashkimit Evropian e të NATO-s, apo një Mal i Zi ku këto pika strategjike referimi interferohen nga valë të tjera dhe pozita juaj dobësohet!

Një Mal i Zi me të cilin Shqipëria ecën krah për krah në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtat synime madhore për të ardhmen e fëmijëve tanë apo një Mal i Zi që kthen sytë në drejtime të tjera!

Unë besoj se zgjedhja juaj është e qartë dhe shpresoj që vota juaj të jetë e bashkuar në të njëjtin drejtim që fuqizon përfaqësimin tuaj në jetën politike të Malit të Zi dhe shkon në harmoni me zgjedhjen e duhur për atë vend që duhet të vazhdojë përpara.

Prandaj, ju bëj thirrje të mos e lini për asnjë arsye pa e ushtruar të drejtën e votës suaj dhe ta mbështesni sa më fuqimisht Listën Shqiptare.

Ajo listë nuk është thjesht një mbledhje partish shqiptare, po lidh për herë të parë lidhur Malësinë dhe Ulqinin e, si rrjedhojë, lidh bashkë shqiptarët në ato treva për të mbështetur njeri-tjetrin dhe drejtimin euroatlantik të Malit të Zi.

Roli juaj ka qene e mbetet i pazëvendësueshëm në pavarësimin e Malit te Zi, ne zhvillimin e demokracisë shumë-etnike e zhvillimin demokratik e social të Malit të tij. Sot ju kryeni detyra te rëndësishme në të gjitha nivelet institucionale te shtetit tuaj për të mbështetur procesin e integrimit evropian.

Dhe mos e harroni çfarë përpjekjesh ka bere e bën diaspora e shkëlqyer e shqiptarëve nga Mali i Zi, si një zëdhënëse e fuqishme e interesave kombëtare anë e kënd botës dhe si mbrojtëse e frymës euroatlantike ne tërësi.

Prandaj, vëllezër e motra, përfshihuni, përfshihuni, përfshihuni dhe te dielën dilni nga shtëpia për te mbështetur Listën Shqiptare dhe mbrojtur e forcuar partneritetin strategjik me presidentin Gjukanoviq, për një Mal të Zi properëndimor e demokratik.

E di që ka ende plot probleme për të zgjidhur, po ku nuk ka? E di që ka ende shumë për të arritur për shqiptarët në Malin e Zi, po si tjetër mund të arrihet pa atë partneritet te sigurte strategjik që ju keni ndërtuar?

E di që keni plot kritika për partine ne pushtet atje dhe për vete liderin e saj, po që të vazhdoni të kritikoni dhe ndërkohë të keni mundësinë të realizoni më shumë akoma, votoni Listën Shqiptare!

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/664937537460169

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Libri "Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një…