Zgjedhjet në Maqedoni: Dalja deri në orën 9:00 më e ulët në krahasim me zgjedhjet e kaluara
Në Maqedoninë Veriut po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.
Komisioni Zgjedhor atje ka dal me informacione dhe statistika.
Numri i vendvotimeve është 3480 në 80 komuna në territorin e Maqedonisë së Veriut. Të drejtë vote kanë 1 814 317 votues për zgjedhjet presidenciale dhe 1 815 350 votues për zgjedhjet parlamentare.
“Nga të dhënat e marra për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet presidenciale deri në ora 9:00, nga gjithsej 547 041 votues të regjistruar në këto qendra votimi kanë votuar 22 797 persona apo 4.17 për qind. Pjesëmarrja më e madhe për zgjedhjet presidenciale është në Probishtip – 8.85 për qind, ndërsa më e ulët është në Bogovinë 0.57 për qind. Krahasuar me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, kemi një rënie të daljes prej 1.99 për qind në këto zgjedhje”, ka thënë kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ), Aleksandar Dashtevski.
Deri në orën 09:00 janë marrë të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare nga 1033 qendra votimi, nga gjithsej 56 4780 votues të regjistruar. Në këto qendra votimi kanë votuar 25 132 apo 4.45 për qind. Për momentin dalja më e madhe për zgjedhjet parlamentare është në Krivigashtani, 9.46 për qind, ndërsa më e ulëta për zgjedhjet parlamentare është në Bogovinë, 1.43 për qind.
“Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kemi një rënie prej 0.74 për qind në këto zgjedhje”, ka thënë Dashtevski.
Kryetari i KShZ-së ka theksuar se në vendvotime të caktuara ka pasur probleme teknike, pas së cilave votimi atje ka vazhduar pa pajisjet e gjurmëve të gishtave, por në mënyrën e vjetër me llambë UV dhe sprej.