Zgjedhjet në Maqedoni dhe kandidati shqiptar për president
Shkruan: Rexhep Selimi
Ndoshta edhe nuk e dimë nëse ka pasur më herët kandidat shqiptar në zgjedhje për president të Maqedonisë apo jo. Edhe nëse ka pasur nuk e mbajmë mend.
Por, për herë të parë, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, tash me emër të ri Maqedonia Veriore, kanë në garë një kandidat shqiptar me kredibilitet. Është shqiptari Blerim Reka.
Ajo çfarë është e kuptueshme është që shqiptarët kanë një kandidat te tyre që ta mbështesin për president të Republikës.
Por, ajo çfarë unë nuk po e kuptoj është se përse disa shqiptarë të politikës atje kane nisur dy fushata, në njërën anë për ta mbështetur kundërkandidatin e një shqiptari dhe në anën tjetër për ta penguar suksesin qysh në raundin e parë të kandidatit të vetëm shqiptar, profesor Blerim Rekës.
Nuk do të thotë që Blerimi të mbështetet vetëm për faktin që është shqiptar, por po ashtu edhe nuk duhet të kundërshtohet e luftohet kaq shumë pikërisht për faktin që është shqiptar.
Është e padiskutueshme që mbështetja për kandidatin shqiptar për President të Maqedonisë nga shqiptarët e Maqedonisë do ta forconte edhe më shumë faktorin shqiptar.
Nuk ka dilemë për këtë sikurse nuk duhet pasur dilemë se në fletën e votimit të dielën më 21 prill duhet rrethuar numri 1 në krah të emrit të Blerim Rekës për president.